​AAK prezanton programin zgjedhor, Haradinaj: Punët e kryera dëshmojnë se e meritojmë besimin e qytetarëve

Aktuale

​AAK prezanton programin zgjedhor, Haradinaj: Punët e kryera dëshmojnë se e meritojmë besimin e qytetarëve

Më: 19 janar 2021 Në ora: 09:34
Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka prezantuar sot programin zgjedhor duke theksuar fondin 1 miliard euro që ata po e quajnë ringjallje të ekonomisë, pas dëmeve të shkaktuara nga pandemia.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka thënë se në garën e 14 shkurtit po hyjnë për fitore.

Haradinaj, i cili synon postin e presidentit të vendit, në prezantimin e programit zgjedhor, ka thënë se AAK synon sukses në këto zgjedhje, e sipas tij, për këtë bazohen në punët e kryera deri më tani.

Haradinaj: Punët që i kemi kryer deri tani dëshmojnë se e meritojmë besimin e qytetarëve

“Më lejoni të veçoj disa punë të kryera pse besojmë se e meritojmë besimin e qytetarëve dhe cilat janë punët që i veçojmë… E veçojmë ushtrinë e Kosovës që është një ngjarje me rendësi dhe një e arritur e madhe e jetës sonë, pronësia mbi Trepçën, pra Trepça sot është Kosovë dhe përmbyllja e të gjitha procedurave të parapara lidhur me pronësinë mbi Trepçën. Minatorët janë aksionarë 20% të Trepçës dhe ajo është pronë e minatorëve. Kjo ka ndodhur gjatë qeverisjes sonë, njëkohësisht kemi pavarësimin energjetik”, tha Haradinaj.

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Fatmir Gashi derisa prezantoi planet për ekonominë, tha se fillimisht do të themelojnë fendin për rindërtim ekonomik në vlerë prej 1 miliard euro.

I njëjti tha se do të themelohet nga buxheti I Kosovës, fondet nga jashtë, borxhi publik dhe grantet ndërkombëtare.

Ai tha se do të sanojnë problemet sociale të shkaktuara nga pandemia.

Gashi: 100 euro për secilin qytetar të Kosovës

“Secili qytetar rezident në Kosovë do të përfitojë nga 100 euro në këtë drejtim, do të subvenciojmë 80% të rrogës për tre muaj për secilin punëtor të kthyer në punë që ka kontratë së paku 1 vjet dhe kjo do të na kushtojë rreth 60 milionë euro. Po ashtu edhe 50% të pagës për secilin punëtor, i cili e ka humbur vendin e punës dhe nuk kthehet në punë do të paguhet prej këtij fondi, do të subvencionojmë shumën prej 150 euro për tre muaj për secilën grua të punësuar me kontratë së paku njëvjeçare dhe pagën që e ka më të lartë se 300 euro. Po ashtu, do të subvencionojmë 40 euro për secilin fëmijë të regjistruar në kopsht parashkollor publik ose privat për vitin 2021/22, e cila kosto do të jetë 32 milionë euro”, tha ai.

Ai tha se të gjitha këto politika do të përcjellën me lehtësira tatimore që kanë për qëllim të mirëmbajnë likuiditetin e ndërmarrjeve të sektorit privat.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se do të rrisin buxhetin në sistemin e drejtësisë për rreth 35 për qind.

Selimi: Do të rrisim numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në departamentin për krime të luftës

“Siç mbajtëm fjalën për krijimin e ushtrisë për dyfishimin e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve që politika t’i mbajë duart larg drejtësisë, do të mbajmë fjalën edhe për rritjen e buxhetit në sistem të drejtësisë rreth 35%, sigurimin e pagës minimale në vlerë 700 euro për policët, implementimin e vettingut për të siguruar gjyqtarë e prokurorë kompetentë profesionalisht me integritet dhe të pavarur, rritjen e numrit të prokurorëve e gjyqtarëve në Departamentin e krimeve të luftës, instalimin e një komisioni që heton dhe siguron prova për krimet e luftës të kryera në Kosovë, zbatimin kërkesës për hetime të plota, themelimin e task-forcës kundër korrupsion që do të jetë një byro e hetimeve kombinim, i hetimit policisë gjyqësore dhe ndjekjes”, tha Selimi.

Ndërsa Shemsedin Dreshaj, i cili foli për programin për shëndetësi, tha se do të avancojnë mjekësinë familjare dhe shërbimet emergjente.

Dreshaj: Shërbimi shëndetësor do të jetë 360 ditë

“Do të përkujdesemi që mos të ndodhë ajo që ka ndodhur deri tash. Shërbimi shëndetësor do të jetë 360 ditë dhe jo kohë pas kohe. Për t’i arritur të gjitha këto pa dilemë, nevojitet një bazë e madhe financiare. Financat do t’i sigurojmë përmes rishikimit të buxhetit, menaxhimit më të mirë të buxhetit ekzistues, përmes sigurimeve shëndetësore dhe do të fokusohemi që të hollat që shkojnë jashtë vendit t’i ndalim në vend përmes cilësisë së shërbimeve dhe gamës së shërbimeve që do t’i funksionalizojmë për nevoja të vendit”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ndër të tjera tha se do të ballafaqojnë Serbinë me të kaluarën gjenocidiale.

Haradinaj: Në finalen e madhe të dialogut me Serbinë, Kosova do të qëndrojë e paprekur

“Kosova në NATO do të përmbyllë brezin e Adriatikut dhe do të eliminojë rrezikun për prekjen e kufijve tanë. Do ta ballafaqojmë Serbinë çdo ditë me të kaluarën e sa gjenocidale, duke qëndruar dinjitetshëm në mbrojtje të shtetit përballë kërcënimeve të vazhdueshme të saj. Në finale e madhe të dialogut me Serbinë, Kosova do të qëndrojë e paprekur, e pacenuar dhe unike. Rruga euro-integruese e Serbisë kalon pashmangshmërisht në Kosovë”, tha ajo.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në zgjedhjet e 14 shkurtit me Ramush Haradinajn bartës të listës, por i njëjti nuk synon të drejtojë ekzekutivin, por vetëm të ketë postin e presidentit të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat