LAJMI I FUNDIT: Albin Kurti mbetet jashtë garës zgjedhore

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Albin Kurti mbetet jashtë garës zgjedhore

Nga: D.RR Më: 20 janar 2021 Në ora: 12:32
Albin Kurti

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili është propozuar edhe si kandidat për kryeministër nga VV-ja, do të mbetet jashtë garës për të parin e vendit, shkruan “Bota sot”.

Burime të “Bota sot” brenda VV-së i kanë thënë gazetës se kanë pranuar informacione nga KQZ-ja se Kurtit nuk do i lejohet pjesëmarrja në listë zgjedhore.

Gjithashtu të njëjtat burime kanë thënë se edhe Albulena Haxhiu do të mbetet jashtë.

"Kemi informacione se Albini dhe Albulena nuk do munden të marrin pjesë në zgjedhje. Informacionet na vijnë nga KQZ. Po e presim vendimin zyrtar", kanë thënë burimet për "Bota sot".

Vendimi i KQZ pritet të bëhet publik sot gjatë ditës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Vendimi thotë se “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat