“Do të kujdesemi që VV-ja të mos vijë më në pushtet”, nga partia e Kurtit i reagojnë ashpër Mustafës dhe Hotit

Aktuale

“Do të kujdesemi që VV-ja të mos vijë më në pushtet”, nga partia e Kurtit i reagojnë ashpër Mustafës dhe Hotit

Nga: A.Zh Më: 23 janar 2021 Në ora: 21:24
Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa

Arbërie Nagavci, kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i cili ka thënë se Vjosa Osmani për interesa të VV-së po e kërcënon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nagavci ka thënë se klasa e “stër vjetruar e LDK-së është në panik”, derisa gjuhën e Mustafës ndaj Osmanit e ka quajtur “linçuese”.

Zyrtarja e VV-së i është kundërpërgjigjur edhe kryeministrit në detyrë Avdullah Hotit, i cili ka thënë se do të kujdesen që VV-ja të mos vijë më në pushtet. Nagavci ka thënë se koha e LDK-së ka përfunduar dhe se qytetarët do ta ndëshkojnë atë për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Reagimi i saj në Facebook:

Klasa e stërvjetruar politike e LDK-së në panik.

Të vetëdijshëm për ndëshkimin që do të marrin nga qytetarët për tradhtinë e tyre, shefi i LDK-së, zt. Isa Mustafa dhe kandidati për Kryeministër nga kjo parti, zt.Hoti janë në panik dhe andaj kërcënojnë e flasin gjëra që as vet s’i besojnë.

Zt.Mustafa dje doli në mbrojtje të Kryetares së KQZ-së, ndonëse të gjithë ishim dëshmitarë të shfaqjes së turpshme kur zn.Daka bashkë me përfaqësuesit politik të LDK-së e PDK-së, jo vetëm se nuk miratuan rekomandimin nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike, por dhe e rrëzuan atë. Ndërsa sot iu paska vërsulur me gjuhë linçuese e kërcënuese u.d së Presidentes, zn. Vjosa Osmani.

Ndërkohë që zt. Avdullah Hoti i cili mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeministrit, ndonëse ligjërisht asnjëherë s’ishte Kryeministër, paska deklaruar: Do të kujdesemi që kurrë të mos i lëmë LV të vijnë në pushtet.

E dimë se po të pyeteshit ju e ata sikurse ju edhe do të bënit çmos që pushtetin ta mbanit për vete, për privilegje e përfitime. Fundja këtë e pamë me 25 mars kur rrëzuat Qeverinë legjitime Kurti për të uzurpuar pushtetin, por koha juaj ka përfunduar.

Ju s’keni as kapacitet e s’do keni më asnjëherë mundësi të tradhtoni vullnetin e qytetarëve, sepse më s’ju beson askush.

#QeveriaKurti2

#krejtdhedrejt

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat