Miftaraj: Vota do të jetë e vlefshme për partinë edhe nëse votohet Albin Kurti

Aktuale

Miftaraj: Vota do të jetë e vlefshme për partinë edhe nëse votohet Albin Kurti

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 15:00
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se përkundër që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, s’është larguar nga lista e kandidatëve për deputetë, edhe nëse votohet nga qytetarët vota do të jetë e vlefshme për partinë, por jo edhe për Kurtin.

Në një prononcim, Miftaraj ka vlerësuar se nëse votohet numri 1 në listën e VV-së, vota nuk do të numërohen për kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti.

“Edhe përkundër faktit që VV insiston që Kurti të jetë numër 1 në listën e dërguar nga VV, në anën tjetër KQZ në pajtim me obligimet ligjore tani më ka miratuar listën zgjedhore për çdo parti politike, me emrat e kandidatëve të cilët janë certifikuar. Po ashtu, lista e kandidatëve të certifikuar tanimë është publike dhe në te nuk figuron Kurti dhe personat tjerë që nuk janë certifikuar.  Në këtë drejtim, edhe përkundër faktit që qytetarët e Kosovës do të votojnë numrin 1 të listës së VV, të njëjtat vota nuk do të numërohen sa i përket numrit 1, por që vota do të njihet për partinë politike VV. Nëse në këtë listë votohen deri 5 kandidatë, edhe nëse votohet numri 1 në listën e VV, vota nuk do shpallet e pavlefshme”, është shprehur ai.

Kujtojmë që Vetëvendosje nuk i ka zëvendësuar dy kandidat për deputetë, Albin Kurtin, që mban numrin një dhe Albulena Haxhiun që mban numrin gjashtë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, ndërkohë që sot edhe zyrtarisht është hapur fushata zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat