Rrëfimi i pulmologut: Shenjat që po iu lë shqiptarëve Covid-19, pasi po shërohen

Aktuale

Rrëfimi i pulmologut: Shenjat që po iu lë shqiptarëve Covid-19, pasi po shërohen

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 16:04
Ilustrim

Infeksione të mushkërive, probleme me oksigjenim të tyre si dhe sëmundje tjera përcjellëse po lë pandemia Covid-19 te personat që tashmë e kanë kaluar virusin vdekjeprurës. Ky virus nuk zgjedh moshë. E çuditshme është se secili trup po i përjeton simptomat pas shërimit, ndryshe prej njëri- tjetrit.

Pulomologu i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Flamur Marku ka treguar, për rastet që kanë marrë trajtim nga Covid-19 dhe sërish kanë pasur telashe me sëmundjet që i kanë shoqëruar këta persona.

Ai ka përmendur disa prej pasojave që po lë koronavirusi te personat e infektuar pasi po shërohen nga sëmundja.

Marku madje tha se këto pasoja po përjetojnë personat e të gjitha moshave.

“Zakonisht të gjitha rastet që kanë pneumoni qoftë moshat e mesme apo ato të shtyra, nëse nuk trajtohen si duhet mund të krijohen disa fibroza, ndryshime të përhershme në mushkëri te të cilët mund të shfaqen telashe, ata pacientë mund të jenë të prirë për të pasur infeksione të mushkërive më shpesh apo edhe probleme me oksigjenimin e gjakut si pasojë e mosfunksionimit të mushkërive”, tha Marku.

Bronkiti kronik dhe problemet tjera kronike me oksigjen janë problemet tjera që sipas Markut duhet të marrin sërish trajtimin e duhur.

“Problemet me sasinë varësisht se cila pjesë e mushkërive është e dëmtuar apo sa ka qenë pneumonia aktive, të cilat qojnë deri të bronkiti kronik apo edhe probleme kronike me oksigjen. Këta persona duhet të konsultohet me pulmolog dhe ta marrin terapinë adekuate për së paku një muaj edhe nëse janë në fazën akute” u shpreh Marku.

Sipas tij, të infektuarit me koronavirus nga të gjitha moshat edhe pas shërimit po përjetojnë pasoja të rënda shëndetësore.  

“Ditëve të fundit jemi dëshmitar çdo ditë e më shumë se nuk është e definuar që vetëm moshat e vjetra do të kenë telashe. Kemi edhe mosha të mesme edhe mosha shumë më të reja të cilat preken në mushkëri dhe kanë pasoja shumë të rënda”, ka përmendur ai.

Një kategori tjetër e cila është e rrezikuar nga sëmundjet tjera që po lë Covid-19 pas shërimit, janë edhe duhanpirësit.

“Duhanpirësi kronik që i ka të dëmtuara mushkëritë apo ka shkaktuar sëmundje okstruktive-kronike si pasojë e duhanpirjes, sigurisht janë ndër më të rrezikuarit nga pasojat e Covid-19”, tha ai.

Pro, pulomologu thotë se ndryshon forma e komplikimit të sëmundjeve, pasi sipas tij secili person dallon për nga mënyra e përjetimit të koronavirusit.

“Trajtimi adekuat i këtyre personave është, nëse kanë komponentë inflamatore, tretmani kryesor është me anti-inflamator. Te secili rast edhe mënyra e përjetimit dhe komplikimit të sëmundjes është individuale”, tha pulmologu Marku.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), numri total i të vdekurve deri më tani në Kosovë ka arritur në 1523, ndërsa i të infektuarve kapë shifrën e 62.258.

Janë 54.042 persona që janë shëruar nga koronavirusi si dhe numri i rasteve aktive aktualisht është 6693 të infektuar. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat