Ngritja dhe rënia e Isa Mustafës, nga ardhja në krye të LDK-së deri te dorëheqja

Aktuale

Ngritja dhe rënia e Isa Mustafës, nga ardhja në krye të LDK-së deri te dorëheqja

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 22:37
LDK

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, shënuan edhe fundin e Isa Mustafës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe rezultatit më të dobët në historikun 30 vjeçar të LDK-së, ku kjo parti doli e treta me gjithsej 13 për qind të votave, Mustafa vendosi të jap dorëheqje nga pozita e kreut të partisë.

I shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, Mustafa në konferencën e thirrur për media pohoi se rezultatit i zgjedhjeve ishte shumë i keq për LDK-në.

“Kishim mbledhjen e kryesisë që e thirra unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, rezultat që ne nuk e kemi pritur fare as nga puna në teren e as nga puna që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti. Qytetarët e thanë fjalën e tyre përmes votës dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri në një periudhë të shpejtë kohore me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë mirëpo unë do ta bëjë më shpejtë këtë”, kishte thënë Mustafa.

Por si ishte rrugëtimi i Mustafës për gjatë këtyre viteve në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Gjatë viteve ’90-ta Mustafa ishte aktiv në Lidhjen Demokratike të Kosovës dheishte pjesë e Qeverisë së Kosovës në ekzil që udhëhiqej nga Bujar Bukoshi, e ku ai ishte Minsitër i Financave, periudhë kjo e njohur edhe për fondin e “Tre përqindëshit”. Mjete këto që u grumbulluan në diasporë për mbajtjen gjallë të arsimit dhe institucioneve të tjera paralele gjatë okupimit serb në Kosovë.

Pas luftës, kryesisht, është angazhuar në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në vitin 2007 si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u zgjodh kryetar i Komunës së Prishtinës. Kurse, më 7 nëntor të vitit 2010, në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së, Mustafa fitoi me 234 vota në garën për të parin e partisë – post për të cilin kandidoi dhe kryetari i atëhershëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

I tërë procesi deri te zgjedhja e Mustafës në krye të LDK-së ishte përshkuar me tensione, sepse kreyetari i deriathershëm i LDK-së Fatmir Sejdiu hezitonte të tërhiqej nga ky post. Madje,

Në fjalimin e tij të parë si kryetar i LDK-së, Mustafa kishte folur për sfidat e ardhshme, planin dhe vizionin e partisë, ndërsa kishte ftuar elektoratin e LDK-së, që të rikthehen në LDK.

“I ftoj ata që të kthehen, sepse ne, së bashku – ne që kemi jetuar në një shtëpi, mund ta arrijmë fitoren dhe mund ta realizojmë përgjegjësinë tonë për qeverisjen e drejtë të Kosovës”, kishte thënë Mustafa në atë kohë.

Isa Mustafa ishte pjesë e kabinetit të Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu si këshilltar për ekonomi.

Kuvendi zgjedhor i LDK-së kishte zgjedhur Isa Mustafën për herë të dytë kryetar të partisë në vitin 2015.

Saktësisht më 31 maj të vitit 2015 Isa Mustafa kishte marrë besimin e shumicës së delegatëve të Kuvendit zgjedhor, me vetëm 2 vota kundër nga 350 sish.

Zgjedhja e Mustafës atëkohë edhe për edhe një mandat të kryetarit të LDK-së ishte bërë me aklamacion dhe vetëm me kandidaturën e tij, ndërkohë që delegatët e LDK-së nuk e kishin aprovuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të kësaj partie, duke i dhënë asaj vetëm 62 vota.

Në vitin 2019-të, Mustafa ishte zgjedhur në krye të këtij subjekti për herë të tretë, pasi që paraprakisht delegatët nuk kishin votuar që Fatmir Sejdiu të ishte kundërkandidat i tij.

Në kuvendin e 9-të zgjedhor ai kishte marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve.

Ndryshe, që nga vdekja e kryetarit të parë të saj, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike është përballur me një varg problemesh, të cilat çuan  në ndarjen e një pjese të anëtarëve të saj me në krye Nexhat Dacin, i cili pastaj formoi një subjekt të ri politik,  Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Ndërkaq, LDK që nga vdekja e Rugovës nuk ka arritur asnjëherë të fitojë zgjedhjet parlamentare.

-LDK në zgjedhjet e vitit 2019, ishte radhitur e dyta më 24.54%

-LDK në zgjedhjet e vitit 2017, ishte radhitur e treta më 25.53%

-LDK në zgjedhjet e vitit 2014, ishte radhitur e dyta më 25.24%

Theksojmë se LDK është parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarëve të lirë dhe të përgjegjshëm, të cilët veprojnë mbi bazë të Statutit, për të arritur objektivat e përcaktuara në Programin e saj politik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat