Ambasadori amerikan jep një lajm të keq për ata që janë kundër Mini-Shengenit Ballkanik

Aktuale

Ambasadori amerikan jep një lajm të keq për ata që janë kundër Mini-Shengenit Ballkanik

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 21:32
Philip Kosnett

Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë në emisionin Pressing se Kosova duhet të integrohet ekonomikisht me fqinjët e saj, duke aluduar se shteti i Kosovës duhet të jetë pjesë e nismave rajonale.

Kosnett ka thënë se ndërrimi i administratave në SHBA nuk ndryshon shumë qëllimet e amerikanëve për Ballkanin. Ai ka thënë se ende nuk dihen plotësisht  politikat e administratës Biden për këtë rajon, por ka thënë se bashkëpunimi mes shteteve gjithmonë është caku.

“Kështu, nëse e marrim pamjen e gjerë strategjike, mendoj se qëllimet fundamentale të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Ballkanit nuk ndryshojnë aq shumë nga një administratë te tjetra. Çka duam? Duam paqe në rajon, duam përparim, duam sundim të ligjit. Këto gjëra themelore nuk ndryshojnë. Qëllimi ynë i përgjithshëm është që të shohim Kosovën duke u bërë më e vetëmjaftueshme dhe të jemi të sinqertë, të bëhet më shumë partnere e barabartë për shtetet në rajon, si dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani, përkitazi me specifikat, cilat programe, cilat nisma mund t’i ndjekë administrata e Bidenit, është pak herët për t’iu përgjigjur kësaj. Mbani në mend, kemi vetëm disa javë me këtë administratë. Pra, kolegët e mi në Uashington, në konsultime me ambasadat jashtë vendit, ende janë duke i hartuar pikat specifike se si do të duket politika e jonë. Prandaj, nuk dua të spekuloj”, ka thënë ai.

“Do të prisja të shohim disa ndryshime taktike, por sigurisht zhvillimi ekonomik dhe integrimi ekonomik rajonal do të mbesin pjesë e programit tonë për Ballkanin. Kosova përbën treg shumë të vogël. Duhet që të ketë mundësinë për të integruar ekonominë e vet në rajon; duhet që të ketë mundësinë për të integruar rrjetin e vet energjetik në rajon. Madje edhe në SHBA, njëri nga shtetet federale vendosi të ketë rrjet të ndarë energjetik, e të mos integrohej me të gjitha shtetet e tjera dhe vuajti shumë keq”, shtoi Kosnett.

Tutje Kosnett ka folur edhe për Mini-Shengenin. Mini-Shengeni është një ndër zotimet e Kosovës në Marrëveshjen e Uashingtonit. Ky propozim ka pasur shumë skeptikë.

“Për shumë gjëra për të cilat flasim në Kosovë duhet t’i shqyrtojmë përvojat anembanë botës, prandaj kur marrim parasysh diçka si e ashtuquajtura Marrëveshja për Mini-Shengen, e di që njerëzit në Kosovë janë skeptikë ndaj saj. Por qëndrimi ynë është se Kosova duhet ta ketë ekonominë e vet të integruar në rajon. Nëse nuk ju pëlqen ky apo ai propozim, Kosova nuk duhet vetëm që ta kthejë shpinën; uluni në tavolinë me fqinjët tuaj dhe vendosni si të ecni përpara sepse edhe fqinjët tuaj kanë nevojë që Kosova të jetë pjesë e ekonomisë rajonale po aq sa edhe ju keni nevojë për ta”, tha Kosnett.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat