​Kosnett: Së pari të formohet qeveria, pastaj të zgjidhet presidenti

Aktuale

​Kosnett: Së pari të formohet qeveria, pastaj të zgjidhet presidenti

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 21:59
Kosnett

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ka folur rreth formimit të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe rreth zgjedhjes së presidentit.

Ai në një intervistë për Pressing, ka thënë se së pari duhet të formohet qeveria dhe pastaj të shkohet me zgjedhjen e presidentit.

“Së pari duhet të formohet qeveria, e pastaj të zgjidhet presidenti. Nëse po pyesni a është sistem i mirë, atëherë kjo është çështje tjetër. Mendoj se në çdo demokraci, njerëzit vazhdimisht duhet të mendojnë a është e dobishme të amandamentohet Kushtetuta. SHBA ka amandamentuar Kushtetutën shumë herë përgjatë shekujve. Kushtetuta e Kosovës është mjaft e re dhe siç e kemi parë, ka dykuptimësi. Ka gjëra që nuk janë të qarta dhe kjo është arsyeja pse Gjykata Kushtetuese është kaq e zënë me punë në përpjekje për ta interpretuar atë. Është puna e Gjykatës për ta interpretuar Kushtetutën, por është detyrë e Parlamentit, Kuvendit, për ta ndryshuar atë sipas nevojës. Një nga ëndrrat e mia për Kosovën është që prijësit kosovarë nga i tërë spektri politik ta rishikojnë, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, nëse ka kuptim për të ndryshuar gjuhën në Kushtetutë për të mirën e të gjithë popullit në vend”, ka thënë diplomati amerikan.

Kosnett ka folur edhe rreth mundësisë së shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja në rast dështimi për zgjedhjen e presidentit.

“Kam shumë besim në popullin e Kosovës dhe mendoj se ata ua kanë bërë shumë të qartë liderëve, prijësve të tyre, se duan ndryshim dhe se meritojnë qeveri funksionale dhe Kuvend funksional sa më parë që është e mundur. Mendoj se tradita në Kosovë ku partitë shpenzojnë muaj se kush do të bëhet ministër i kësaj e kush ministër i asaj, mendoj se kjo me të vërtetë ka shkaktuar dëme në të kaluarën dhe mendoj se do të jetë ndryshe këtë herë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat