Vjosa Osmani tregon çka bisedoi me ambasadorët e QUINT-it, kjo është kërkesa e saj

Aktuale

Vjosa Osmani tregon çka bisedoi me ambasadorët e QUINT-it, kjo është kërkesa e saj

Nga: P.R Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 20:34
Vjosa Osmani dhe Philip Kosnett

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar më të gjithë ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, si dhe bisedat që ka zhvilluar me ta.

“Gjatë këtyre ditëve kam takuar ambasadorët e QUINT-it (SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) si dhe atë të Bashkimit Evropian. Në të gjitha këto takime, është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim”, ka shkruar Osmani.

“Qytetarët e kanë ndërtuar rrugën tonë përpara, nga e cila nuk do të devijojmë në asnjë moment e në asnjë rrethanë. Përgjatë viteve në vijim, prioritetet tona të do të jenë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë për çdo ditë, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, interesat e vendit tonë edhe jashtë kufijve e duke ndërtuar një imazh për shtetin me të cilin do të ndihen krenarë të gjithë qytetarët tanë por edhe aleatët tanë”, thuhet në postimin e Osmanit.

Osmani ka shkruar se pret certifikimin e shpejtë të rezultatit zgjedhor.

“Presim që çertifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë”, shkruan Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat