Numërohen rreth 30 mijë fletëvotime të diasporës, Vetëvendosja prin me 20.614 vota

Aktuale

Numërohen rreth 30 mijë fletëvotime të diasporës, Vetëvendosja prin me 20.614 vota

Më: 3 mars 2021 Në ora: 00:46
KQZ

Kur gati gjysma e fletëvotimeve të ardhura nga jashtë vendit tashmë janë numëruar, Lëvizja Vetëvendosje prin me 20.614 vota.

E dyta është LDK-ja me 2282 vota që pasohet nga PDK-ja me 2164 vota.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë se procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve deri tani ka shkuar mirë.

“Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga jashtë vendit ka shkuar mirë. Janë 40 tavolina numërimi ku që nga ora 09:00 e mëngjesit ka filluar puna për të numëruar votat e konfirmuara nga jashtë vendit që janë 56.610. Deri në këto momente është numëruar gjysma e tyre, diku rreth 30 mijë fletëvotime. Deri në mbarim të ditës së sotme do të vazhdohet me procesin e numërimit dhe sigurisht se do të kemi një numër të konsiderueshëm të fletëvotimeve të numëruara”.

Por, kur mund të kemi shpalljen dhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit?

“Besoj që gjatë ditës së nesërme do të arrijmë ta përmbyllim procesin e numërimit të këtyre fletëvotimeve. Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, nëse do të arrijmë që brenda një kohe optimale të përfundojmë procesin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, QNR-së i duhen disa orë për të futur të dhënat në sistem dhe më pas të përgatiten rezultatet për t’u shpallur. Nuk dua të flas me saktësi nëse kjo do të bëhet gjatë ditës së nesërme”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat