Policia në Ministrinë e Abrashit/Flet sekretari i shkarkuar në MI: S’ma lëshuan zyrën, unë e thirra policinë

Aktuale

Policia në Ministrinë e Abrashit/Flet sekretari i shkarkuar në MI: S’ma lëshuan zyrën, unë e thirra policinë

Më: 3 mars 2021 Në ora: 15:38
Izedin Bytyqi

(E plotësuar 16-27) - Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi para dy ditësh ka shkarkuar nga detyra e sekretarit të ministrisë, Izedin Bytyqin. Por ky i fundit ka thënë se shkarkimi është i kundërligjshëm dhe s’e nuk do të largohet nga zyra.

“Është vendim i kundërligjshëm, e kam njoftu kryeministrin dhe Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Aty u instalu një sekretar kishe, që s’ka të drejtë me thënë sekretar hiç. Ky nuk është drejtor departamenti, pra Zymer Avdullahu”, tha ai para mediave.

Teksa njoftoi se ishte vetë ai që e ka njoftuar policinë.

“I kam thënë policisë me i marrë veprimet me ma liru zyrën…Unë jam sekretar i ligjshëm, të tjerat janë të paligjshme. Këtë e rrëzon edhe studenti i vitit të parë juridik, e le më prokurori. Ai ska pranu me ma liru vendin, unë e kam thirrë policinë, e ai e thirrke dikë ia bojkë çomna Njësinë, si me konë komandant i policisë”, tha ai më tej.

“Jam ballafaqu me presione të ndryshme të grupit të interesit që e kanë shkatërruar Ministrinë e Infrastrukturës”, ka pohuar Bytyqi.

Shtoi se nuk e ka niet të dorëzohet.

Ndërsa, MI ka publikuar një komunikatë për media lidhur me shkarkimin e tij.

“Ministria e Infrastrukturës njofton opinionin publik se ministri Arban Abrashi, ka pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit është inicuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore.

Bytyqi, gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës. Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri Abrashi shpreh vendosmërinë për hapje rrugë të funksionimit të drejtësisë në MI dhe ndalim të tentimit për të manipuluar me dokumentet e lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Mbi këtë bazë, Bytyqi është liruar nga detyra të hënën (01.03.2021)”, thuhet në njoftimin e tyre.

Policia hyn në Ministrinë e Arban Abrashit

Pas shkarkimeve të fundit në Ministrinë e Infrastrukturës Policia e Kosovës gjendet në objektin e kësaj ministrie.

Arsyeja e prezencës së Policisë është kthimi i sekretarëve të kësaj ministrie në objekt.

Pak ditë para se ta lëshoj “kolltukun” e ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka shkarkuar sekretarin e këtij dikasteri qeveritar, Izedin Bytyqin dhe në vend të tij ka emëruar të hënën, Zymer Abdullahun.

Por, një ditë pas këtij emërimi, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka anuluar vendimin e Abrashit për shkarkimin e sekretarit Bytyqi dhe njëkohësisht edhe emërimin e sekretarit të ri, Abdullahut.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme e rikthen në pozitën e tij, Izedin Bytyqin, por, sipas burimeve sekretari i përzgjedhur nga ministri Abrashi ka refezuar t’ia lëshoj zyrën Bytyqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat