Greqia ftohet që ta ndjekë shembullin e Izraelit – ta njohë pavarësinë e Kosovës

Aktuale

Greqia ftohet që ta ndjekë shembullin e Izraelit – ta njohë pavarësinë e Kosovës

Më: 6 mars 2021 Në ora: 14:40
Flamuri i Kosovës

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti për Politikën e Jashtme, Alush Gashi ka ftuar Greqinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Gashi ka shkruar se pret që Greqia të vendosë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën.

“Ne si Kosovë ftojmë për bashkëpunim të ngushtë Greqinë. Specifikisht ne ftojmë Republikën Helenike të Greqisë që formalisht ta njoh Kosovën dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike. Ne shpresojmë që liderët grekë të kenë mençurinë të lëvizin përpara”, ka shkruar Gashi.

Ndërkaq, Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit tha se dëshiron që me Kosovën të bashkëpunojë në shumë fusha, përfshirë fushën e ekonomisë, të shëndetësisë e inovacionit.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të së cilës ishte edhe njohja nga Izraeli, dhe shtoi se Jerusalemi zyrtar do që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon stabil.

“Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të thelluar dialogun tonë në Serbi”, tha Ashkenazi.

Ai po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat