Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid19 ka thënë se do të vazhdohet me masat e njëjta në fuqi.
Por, Zemaj paralajmëroi se nëse rritet numri i të infektuarve deri në fund të javës do të ndërmerren masa të reja kufizuese.
“Të shtohet intensifikimi i mbikëqyrjes nga shtabet lokale që është tepër e nevojshme duke marrë parasysh se grumbullimi i qytetarëve ka tejkaluar numrin, për të lejuar zhvillimin e jetës normale”, tha ai.
“Sipas nevojës dhe përmbylljes së javës do të jemi shumë të përgjegjshëm në ndërmarrjen e masave kufizuese për çdo eventualitet të rritjes apo mbingarkesës spitalore”, shtoi ai.
Ai gjithashtu ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë faj që nuk kanë ardhur akoma vaksinat kundër COVID-19, ani se ishte premtuat se do të vijnë në muajin shkurt.
“Është evidente që lufta ishte e pabarabartë. Kemi arritur që të ngrisim kapacitetetet si kurrë më parë, pothuajse për gjashtë muaj edhe duke përdorur analogji apo metoda krahasimore për 20 vjetët e kaluara duke filluar nga pajisjet, shtretërit, ambientet, kuadrot, resurset humane, infrastrukturën në plotni dhe protokollet për trajtimin e virusit”.