Përsëri dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Drenasit

Aktuale

Përsëri dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Drenasit

Më: 6 prill 2021 Në ora: 11:45
Foto ilustrim

Për të dytën herë me radhë ka dështuar të mbahet gjykimi për korrupsion ndaj shefit të sektorit të gjeodezisë në Komunën e Drenasit, Xhafer Ramaj, dhe shefit të sektorit të Kadastrit në këtë komunë, Shefshet Morina.

Shkak i mos mbajtjes së seancës së të martës ka qenë mungesa e anëtarëve të trupit gjykues, të dy të akuzuarve, avokatit Ramë Dreshaj dhe tre dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni njoftoi se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla nuk prezanton në këtë seancë për shkaqe familjare, ndërsa anëtari tjetër, gjykatësi Isuf Makolli nuk e kishte njoftuar gjykatën për mos prezencën e tij.

Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Ramë Dreshaj i cili e kishte njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të ishte i pranishëm.

Për këtë arsye, të akuzuarit Rama dhe Morina paraprakisht ishin njoftuar për mos mbajtjen e kësaj seance, prandaj të njëjtit nuk kanë qenë prezent.

Po ashtu, edhe dëshmitarët Nadir Shyqeriu, Fadil Tahiri dhe Baki Fetahu, sipas gjykatëses Hasaj-Hyseni ishin njoftuar nga avokati Ramë Dreshaj që të mos paraqiten në këtë seancë.

Në këto rrethana kjo seancë është shtyrë ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 17 maj 2021, në ora 13:00.

Edhe seanca e paraparë të mbahej me 25 shkurt 2021, kishte dështuar të mbahej me kërkesë të avokatit Ramë Dreshaj.

Ndërsa në seancën e 15 janarit 2021, eksperti kadastral i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Esat Xani, kishte deklaruar se ndërrimi i destinimit nga toka bujqësore në toka ndërtimore, për të cilat ndërrime po dyshohen dy të akuzuarit, ishte bërë pa vendim dhe pa respektuar dispozitat ligjore.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefshet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtare kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për Tokat Bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për Ndërrimin e Destinimit të Tokave Bujqësore.

Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe  të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.

Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro. (BetimipërDrejtësi)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat