Osmani nderon “Heroinat”: Kërkojmë drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Aktuale

Osmani nderon “Heroinat”: Kërkojmë drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Më: 6 prill 2021 Në ora: 15:55
Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu vendosi lule tek memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

Ajo këtu përmendi kontributin e grave në Kosovë kundër pushtetit serb, organizimit të rezistencës paqësore dhe rezistencës së armatosur, e këtë kontribut Presidentja e quajti historikisht të jashtëzakonshëm.

Osmani: Kontributi i grave në Kosovë ka qenë historikisht i jashtëzakonshëm

"Kontributi i grave në Kosovë ka qenë historikisht i jashtëzakonshëm, për fat të keq jo rrallë herë ky kontribut nuk është përmendur sa duhet e shpeshherë edhe është mohuar duke filluar nga kontributi i tyre në organizimin e protestave kundër pushtetit serb, organizimit të rezistencës paqësore e deri tek rezistenca e armatosur e pastaj pas lufte kontributi i grave në shtet ndërtim që të gjitha duhet të njihen të respektohen e të flitet për kontribut çdo dite", tha ajo. 

Presidentja që sot mori zyrtarisht detyrën, tha se 22 vite pas luftës mungon drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke shtuar dhimbja e madhe e tyre u shndërrua në forcë dhe në shtytje përpara për shtetin tonë.

Osmani: Duhet drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

"Asnjë rast deri më tani përkundër faktit që jemi 22 vite pas luftës nuk kemi ku drejtësia është vënë në vend, ku kriminelët që kanë kryer këto krime të llahtarshme kanë dalë para drejtësisë, prandaj ajo çka i duhet më së shumti të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është drejtësia sepse pa drejtësi nuk do të mund të ecet përpara sepse padrejtësi nuk do të jemi të suksesshëm as në luftimin e paragjykimeve, por për këtë kontributin tonë gjithsecili dhe institucionet tona duhet të jenë shembull në trajtimin në mbështetjen e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe të jemi pranë gjithë atyre që kanë përjetuar ferrin që në ndërkohë u shndërrua në simbol të forcës duke dhënë kështu një shembull të jashtëzakonshëm ku dhimbja e madhe shndërrohet në forcë dhe në shtytje përpara për shtetin tonë", tha ajo.

Tek parku heroinat dolën edhe qytetarë të shumtë të cilët uronin dhe bënin fotografi me Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun.

Memoriali “Heroinat” simbolizon rreth 20 mijë gra e burra të cilët kanë qenë viktima dhe janë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat