Masat antiCOVID, gastronomia pa mbështetje nga shteti

Aktuale

Masat antiCOVID, gastronomia pa mbështetje nga shteti

Më: 6 prill 2021 Në ora: 17:30
Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë Kurti 2 për masa të reja ku do të ketë mbyllje të shumë veprimtarive të pavarura për 12 ditë, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Azemi ka thënë për KosovaPress, se paraprakisht Qeveria është dashur të ketë një plan për stimulimin e punëtorëve në sektorin privat, të cilët do të mbeten pa punë gjatë kësaj kohe.

Ai kujton se edhe pakoja emergjente e vitit të kaluar nuk ka gjetur zbatim të plotë, pasi që shumë prej punëtorëve nuk kanë marrë shumën 170 euro dhe nuk ka gjetur zbatim as vendimi për stimulimin e punëtorëve të larguar nga puna.

Azemi: Punëtorët e gastronomisë nuk do të paguhen ditëve që nuk punojnë

"Realisht ne e kemi kundërshtuar këtë mbyllje për arsye, sepse nuk kemi mjete mbështetëse shtesë, që punëtorët e sektorit privat kryesisht gastronomisë dhe profileve të ndryshme nuk ka asnjë garanci që këta punëtorë do të paguhen. Unë e them me plot përgjegjësi se më lehtë do ta kenë pronarët e kompanive se sa ne punëtorët, sepse pronarët e kompanive kanë disa kursime dhe mund t’ia dalin të qëndrojnë, përderisa ne punëtorët e sektorit privat punojmë sot për nesër, nëse nesër na ndalohet puna, pasnesër na duhet të dalim dhe të kërkojmë mjete diku borxh", tha ai.

Në pakon për rimëkëmbje ekonomike të vitit të kaluar shumë punëtorë nuk e kanë marrë stimulimin prej 170 euro. Azemi përkujton se edhe pagesa për tre muajsh me nga 300 euro për punëtorët e larguar nga puna, nuk ka gjetur zbatim.

Azemi: Pakot për rimëkëmbje ekonomike nuk u zbatuan

"Ne nuk jemi kundër mbylljes së arsyeshme, por jemi kundër asaj se si është vepruar: po të mbylli njëherë dhe çka tutje? Duke u nisur nga e kaluara, nga masa për rimëkëmbje ekonomike dhe masa të tjera që kanë qenë për punëtorë të dedikuara, ne e themi me plot përgjegjësi se 70% të atyre mjeteve kanë shkuar në llogari të punëtorëve. Ne kemi ende shumë punëtorë, të cilët stimulimin prej 170 euro nuk e kanë marrë. Ne kemi që nga viti 2020, në dhjetor të vitit të kaluar, kur u mor vendimi se do të stimulohen punëtorët e larguar nga puna, 3 herë me nga 300 euro, as nuk është bërë, por as në formën se si janë marrë vendimet nuk do të bëhet", tha ai.

Për ditët e mbylljes, Azemi thotë se nuk ka asnjë garanci që këta punëtorë do të paguhen gjatë periudhës që nuk do të punojnë.

Azemi: Për 12 ditë as shteti, as pronarët e kompanive s’do të paguajnë këta punëtorë

"Ne kemi informacione vetëm përmes mediave dhe është dashur një plan i detajuar nëse ka mjete. Po mendon që për 12 ditë duhet të mbyllet, atëherë duhet bërë kalkulime për secilin punëtor dhe ato mjete për 12 ditë të dalin qysh tash dhe ne nuk kemi asnjë garanci duke u nisur nga e kaluara, që një vit nuk kemi një garanci që ne do të stimulohemi për këto ditë sa të rrimë në shtëpi. Absolutisht pronari i kompanisë as nuk dëshiron të dëgjojë për kohën sa ka qenë i mbyllur, sepse ai thotë se ka qenë i sanksionuar nga shteti dhe nuk ka nga t’i marrë (paratë), pra kjo barrë i bie qeverisë se sa do të reflektojë, unë po dyshoj", tha ai.

Sipas vendimit të qeverisë të datës 6 prill 2021, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më 18 prill. Ato do të lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat