“Keni 10 minuta të mendoheni!” Urdhri që u kishte rënë si rrufe Blerim Latifit dhe ushtarëve në Koshare

Aktuale

“Keni 10 minuta të mendoheni!” Urdhri që u kishte rënë si rrufe Blerim Latifit dhe ushtarëve në Koshare

Nga: A.Zh Më: 9 prill 2021 Në ora: 17:50
Blerim Latifi

Profesori universitar, i cili ishte snajperist në kohën e luftës në Kosovë Blerim Latifi, ka rrëfyer historinë para se të futeshin në frontin e luftës në Betejën e Koshares.

Ai ka treguar se oficeri i tij, iu kishte thënë ushtarëve të tij që ta shkruanin emrin dhe mbiemrin si dhe vendlindjen në paketa të cigareve, në rast se do të vinte puna për t’i tërhequr ata.

Latifi ka thënë se nga fjalët e oficerit iu kishin zverdhur fytyrat, por asnjëri prej ushtarëve nuk u lëkund dhe qëndruan në betejë, përcjell Bota sot.

Ai ka treguar se në ditën që kishte përfunduar lufta, atë copë letre e kishte grisur, si “për t'i thënë vdekjes se kishte triumfuar mbi të”.

Postimi i plotë i Latifit në Facebook:

Pjesë nga kujtimet e luftës

Një natë para se të futeshim në frontin e Koshares, qëndruam në fshatin Padesh, i cili ishte ngjitur me zonën kufitare. Natën e kaluam në disa tenda, të cilat i kishte ngritur prapavija e brigadës sonë. Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë. Në mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili kishte për detyrë të na jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë. Pjesën shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund. Ai na tha: - Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse bien puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj. Fjalët e tij na ranë si rrufe. Ato na paralajmëronin se po hynim në një betejë ku me siguri dikush nga ne do të vritej gjithsesi, nëse jo të gjithë. Oficeri e pa se ishim zverdhur në fytyra dhe mori sërish fjalën: Keni 10 minuta të mendoheni, kush nuk e ndjen veten të gatshëm për luftë, le ta thotë tash, ne e lirojmë dhe kurgjë kërkujt, kjo është luftë vullnetare, askënd se detyrojmë me zor. Një heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një ushtari i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit. Nisuni, i tha atij. Dhe derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha: U lumtë pushka djem, dalshi faqebardhë! Rrugës filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta vendosnim në xhepin e djathë e jo në të majtin. Atëherë dikush e tha një shaka të hidhur: - Sepse armiku kërkon të nga godas në zemër e aty gjaku e prish letrën. Pasi e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" i Kadaresë, kur i zhvarrosin trupat e ushtarëve të vrarë dhe në skeletet e tyre gjenin pjesët metalike me emrat tyre të shkruara në to. Ditën që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t'i thënë vdekjes se kisha triumfuar mbi të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat