S’ka një datë të caktuar për rifillimin e gërmimeve në Kizhevak

Aktuale

S’ka një datë të caktuar për rifillimin e gërmimeve në Kizhevak

Më: 10 prill 2021 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë tash e disa muaj.

Nga këto gërmime janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.

E, së fundmi, janë bërë edhe dy identifikime të eshtrave të zhvarrosura vitin e kaluar, të cilët u takojnë viktimave të luftës nga fshati Rezallë.

Ndonëse, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ditë më parë vlerësoi se rifillimi i gërmimeve është me rëndësi, ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu.

Ai tha se pritet të mbahet një takim i grupit punues.”Ende nuk kemi njëherë ndonjë datë të caktuar, me siguri qe pritet të mbahet ndonjë takim i grupit punues por deri sot s’kemi asnjë datë”, tha ai.

Gërxhaliu u shpreh se janë të gatshëm në çdo moment që u kërkohet të vazhdojnë punën e nisur.

Ai bëri të ditur se do të gërmojnë edhe në një varrezë të re në afërsi të Sinicës, në një minierë.

Kurse, Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se s’po mund të vazhdohen punimet për shkak të motit të ligë.

“Po presim të kemi një mot të qëndrushëm që të rifillojmë gërmimet. Së bashku me z.Makolli të premtën kemi vizituar lokacionin po ashtu u takuam me palën serbe pikërisht në vendin e ngjarjes por shihej qartazi se kushtet ishin të papërshtatshme për të filluar punën”, tha ai.

Autoritetet e Prishtinës si dhe organizatat joqeveritare vendore e ndërkombëtare thonë se gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) janë vrarë dhe zhdukur më shumë se 13.500 persona.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat