Mësimi filloi në të gjithë vendin, Nagavci: Javën e ardhshme vendoset si do të vazhdojë procesi mësimor

Aktuale

Mësimi filloi në të gjithë vendin, Nagavci: Javën e ardhshme vendoset si do të vazhdojë procesi mësimor

Më: 12 prill 2021 Në ora: 18:31
Arbërie Nagavci

Pas pushimit pranveror procesi mësimor ka nisur sot në të gjitha shkollat e vendit. Derisa ciklet e ulëta nga klasa 1 deri në klasën 5 mësimi po zhvillohet me prezencë fizike në shkolla, shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta mësimin po e zhvillojnë online.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci, tha se mësimi që po zhvillohet në të gjitha shkollat e vendit, ku tha se përjashtim bën një shkollë në një fshat të Mitrovicës e që mësimi do të nis nesër.

Nagavci tha se do të analizohet se si po shkon situata me pandeminë dhe se për javën e ardhshme do të merret vendimi se si do të vazhdojë procesi mësimor.

Nagavci: Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Komunave të Kosovës

“Në edukimin e hershëm në kopshte dhe në çerdhe në nivelin zero dhe në të gjitha klasat 1 deri në 5 mësimi po zhvillohet me pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla, duke respektuar të gjitha masat e rekomanduara nga organet kompetente si IKShPK dhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas informatave që i kemi në ministri, pra informatave nga DKA-të në ditën e sotme mësimi ka filluar në të gjitha shkollat në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të fshatit Gushavc të Komunës së Mitrovicës ku në njërën nga shkollat mësimi do të vazhdojë nesër, nxënësit do të vazhdojnë mësimin në shkollën Ismail Qemajli dhe aty po punohet sot me skenarin C për shkak se duhet të sigurohet transporti i nxënësve që sipas njoftimeve të DKA-së në Mitrovicë kjo do të realizohet prej ditës së nesërme. Në anën tjetër për klasat 6 deri në 9, gjegjësisht për shkollën e mesme të ulët dhe për shkollën e mesme të lartë klasat 10 deri në 12 mësimi po zhvillohet online dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë gjatë gjithë kësaj jave”, tha ajo.

E para e arsimit tha se komunat kanë raportuar se është bërë dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore, ashtu siç ka qenë vendimi para se të shkohet në pushimin pranveror.

Derisa u shpreh se do të analizohet gjendja me pandeminë për t’u vendosur se si do të vazhdojë procesi mësimor javën e ardhshme, Nagavci ka ftuar të gjithë akterët që të angazhohen që të ketë rezultate më të mira për nxënësit.

Nagavci: Për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht se si është rekomandimi

“Për këto nivele të shkollimit do të vazhdohet në këtë javë, sigurisht se ne do të përcjellim si po shkon situata me pandeminë dhe për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht se si është rekomandimi nga organet kompetente, por edhe në dakordim me DKA-të të secilës komunë duke pasur parasysh rrethanat specifike në secilën prej komunave. Përderisa mësimi sipas rekomandimeve të DKA-ve po shkon pa pengesa së paku deri në këtë kohë kur po e mbajmë këtë konferencë unë e shfrytëzojë këtë mundësi që edhe një herë t’iu bëjë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë proces qofshin drejtor të shkollave, qofshin prindër e sidomos mësimdhënësit që të angazhohen të gjithë bashkërisht që të mundohemi që krahas kujdesit për shëndetin publik, për shëndetin fizik e atë mendor të kujdesemi që edhe që të mos lëmë prapa asnjë fëmijë sa i përket arritjes së synimeve të dëshiruara për rezultate në mësim”, tha ajo.

Ministrja Nagavci tha se si ministri kanë ndërmarrë të gjitha masat edhe sa i përket pajisjeve teknologjike për t’iu ofruar qasje të gjithë fëmijëve në mësimin online. Ajo tha se përpos pjesëmarrjes në mësimin online përmes platformave të ndryshme klasat nga 6-9 të gjitha njësitë mësimore transmetohen edhe përmes kanalit zyrtar të RTK-së dhe janë të publikuara në faqen zyrtare të ministrisë.

Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, Nagavci tha se kjo çështje do të trajtohet me prioritet, megjithëse nuk tregoi se kur pritet të ndodh një gjë e tillë tha se përparësi për vaksinim do të ketë ata mësimdhënës që kanë sëmundje kronike dhe që janë në moshë më të shtyrë.

Nagavci: Prioritet do të jenë ata që mund të jenë me sëmundje kronike, ata në moshë më të shtyrë

Kjo do të trajtohet me prioritet, duke i respektuar rekomandimet e organeve kompetente duke pasur parasysh se cilat janë prioritetet në raport me vaksinimin e mësimdhënësve. Pra, prioritet do të jenë ata që mund të jenë me sëmundje kronike, ata në moshë më të shtyrë dhe varësisht prej nevojave do të merren parasysh që të ofrohen edhe vaksinimi për mësimdhënësit”, tha Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat