Hartë e re për Ballkanin?! BE-ja nuk komenton ndryshimin e kufijve

Aktuale

Hartë e re për Ballkanin?! BE-ja nuk komenton ndryshimin e kufijve

Më: 16 prill 2021 Në ora: 20:43
Harta që po qarkullon

Një dokument jozyrtar diplomatik po sugjeron ndryshim të kufijve të Ballkanit.

Parasheh Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, bashkimin e pjesës më të madhe të Republikës Srpska me Serbinë, ndërsa më pas sugjerohet zgjidhja e çështjes kombëtare kroate, dhe atë në dy mënyra, duke bashkuar kantonet kryesisht kroate në Bosnjë-Hercegovinë me Kroacinë ose duke i dhënë pjesës kroate të vendit një status të veçantë sipas modelit të Tirolit të Jugut. Për boshnjakët parashihet një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur dhe për të cilin ata duhet të marrin përgjegjësinë e plotë. Përmes një referendumi ata mund të zgjedhin për një të ardhme në BE ose jo në BE apo Turqi.

Pretendohet se këtë non-pejpër, kryeministri slloven, Janez Jansha, ua ka dërguar disa zyrtarëve të institucioneve të BE-së. më 1 korrik Sllovenia merr Presidencën e Këshillit të BE. Nga Komisioni Evropian, zëdhënësi, Peter Stano, tha se asnjëherë nuk komentojnë dokumente të publikuara në media dhe as që i takon të shprehet për non-pejperin e pretenduar.

Komisioni nuk ka marrë asgjë dhe nuk është në dijeni për përmbajtjen e pretenduar të një dokumenti të tillë. Pyetjet në lidhje me të duhet t’i drejtohen dërguesit të pretenduar (Kryeministrit slloven) ose marrësit të supozuar (Presidentit të Këshillit Evropian)”, tha Peter Stano – Zëdhënës (KE) për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.

Nga kabineti i kryeministrit slloven Janez Jansha, thanë se nuk e marrin seriozisht portalin që publikoi dokumentin.

“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë nuk e merr seriozisht portalin Necenzurirano që botoi të ashtuquajturën non-paper për Ballkanin Perëndimor, por më shumë si një portal aferash, kështu që ne nuk e komentojmë botimin e të ashtuquajturit non-paper”, thonë nga Qeveria e Sllovenisë.

Nuk komentojnë as nga kabineti i Presidentit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

“Faleminderit për mesazhin tuaj – për fat të keq, në këtë fazë, nuk kemi asnjë koment për të ndarë në lidhje me këtë”, potencoi Simos Piperidis, zyrtar për shtyp – Kabineti i Sharl Mishel.

Ministri për Punët të Jashtme i vendit, Bujar Osmani, i tha tv21 se Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe Republikës se Kosovës.

“Në këtë drejtim vlerësojmë se zgjidhja e vetme dhe e përhershme për kufijtë në Ballkanin Perëndimor është pikërisht relativizmi i tyre nëpërmjet integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Antonio Milloshovski nga opozitarja VMRO-DPMNE rikujton se vendi është anëtar i NATO-s, andaj konsideron se Aleanca është garanci për sigurinë e kufijve të çdo vendi anëtar.

“Vendet e tjera anëtare, siç janë Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Shqipëria, SHBA-të, presim ta mbështesin këtë dhe orientimin e shtetit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne kërkojmë nga Qeveria që në mënyrë më aktive të lobojë në kohën e kryesimit slloven që të merret data e merituar për nisje të bisedimeve”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Bosnje e Hercegovinës, respektimi i së cilës është përcaktuar me marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, që i dha fund luftës në atë vend. Nga ana tjetër, ministri gjerman për Evropën, Mihael Rot, ndyshimin e kufijve e ka quajtur rrugë të rrezikshme.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal janë çelësat e paqes, demokracisë dhe prosperitetit. Vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme”, theksoi Michael Roth – Ministër i Gjermanisë për Evropën.

Dokumenti ka bërë që të reagojnë zyrtarët e BE-së në Bosnje e Hercegovinë. Përmes një deklarate të përbashkët, Delegacioni i BE-së, Krerëve të Misionit të BE-së dhe Komandanti i EUFOR-it, është hedhur poshtë ideja e ndryshimit të kufinjve të këtij shteti. 

Ish-deputetja e Parlamentin Evropian, sllovenja Tanja Fajon, i bërë thirrje kryeministrit Jansha dhe Ministrisë së Jashtme që të deklarohen rreth pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat