Flet familjari i personit ndaj të cilit u gjuajt me armë zjarri në Prishtinë

Aktuale

Flet familjari i personit ndaj të cilit u gjuajt me armë zjarri në Prishtinë

Më: 23 prill 2021 Në ora: 23:47
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sonte rreth orës 21:00 disa persona kanë tentuar të privojnë nga jeta një burrë në Prishtinë duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë përballë selisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjersa nuk raportohet për të lënduar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i ka thënë se menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin.

ATV ka arritur të sigurojë detaje të reja nga kjo ngjarje. Një familjar i personit që u tentua ta privojnë nga jeta tha se sulmi ndaj të afërmit të tij ka ndodhur për të dytën herën me radhë brenda ditës, pasi personat, tashmë në kërkim nga Policia e Kosovës, kishin tentuar ta godasin atë me veturë në Dragodan.

“Gjatë ditës ka pasur edhe një përleshje në mes të këtyre dy grupeve. Sot të njëjtit persona kanë tentuar që ta godasin me veturë në Dragodan, personin që është tentuar të vritet. Ai tashmë është marrë nga Policia e Kosovës dhe i njëjti ndodhet në stacion të policisë,” është shprehur familjari i personit ndaj të cilit u gjuajt me armë zjarri.

Sipas Policisë së Kosovës aktualisht po vijon puna policore për identifikimin e të dyshuarve si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat