Bislimi: Takimet në Bruksel janë informative, jo negociuese

Aktuale

Bislimi: Takimet në Bruksel janë informative, jo negociuese

Më: 27 prill 2021 Në ora: 23:04
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se takimet në Bruksel me përfaqësues të lartë europianë janë informuese dhe jo negociuese.

Ai ka njoftuar se është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe se temë bisedimi ishin takimet e deritanishme të dialogut dhe marrëveshjet mes dy vendeve.

“Bashkë me ambasadorin në detyrë të Republikës së Kosovës në Bruksel, z. Astrit Zemaj dhe me sekretarin e parë të ambasadës, z. Fitor Murati patëm dy takime të njëpasnjëshme me z. Miroslav Lajçak dhe gjithë ekipin e tij. Qëllimi i takimit ishte informimi i plotë nga ana e z. Lajçak dhe ekipit të tij mbi të gjitha takimet e deritanishme në dialog dhe çështjet e ngritura, si dhe marrëveshjet e dakorduara mes palës kosovare dhe asaj serbe. Takimet ishin dakorduar në funksion si të informimit të plotë ashtu edhe përgatitjes më të mirë të palës kosovare”.

Bislimi ka njoftuar se delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Kurti do të takohet sërish me Lajçakun në një nga 17 takimet e dy ditëve në vijim.

“Në asnjërin nga këto takime nuk ka negocim, por janë takime informative”.

Zëvendëskryeministri i parë tha se pas kthimit në Kosovë do t;i informojë menjëherë liderët e partive politike parlamentare për përmbajtjen e diskutimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat