Dëshmitari zbulon të pathëna për vrasjen e Triumf Rizës, përmendet edhe Enver Sekiraqa

Aktuale

Dëshmitari zbulon të pathëna për vrasjen e Triumf Rizës, përmendet edhe Enver Sekiraqa

Më: 28 prill 2021 Në ora: 21:03
Pamje nga gjykimi

Në seancën e së mërkurës, gjatë sesionit të paradites, në gjykatore në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar shoku i Triumf Rizës, Gazmend Hoti, i cili ka thënë se i ndjeri i kishte thënë se ka pasur probleme me tani të akuzuarin Enver Sekiraqa.

Enver Sekiraqa, në shtator 2019 ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, mirëpo në mars 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Fillimisht, dëshmitari Gazmend Hoti ka deklaruar se qëndron prapa deklaratave të dhëna në prokurori, nw shqyrtimin e parë gjyqësor dhe shqyrtimin e dytë në këtë çështje penale.

Hoti duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Haki Gecaj, ka thënë se me Rizën kanë qenë shokë shumë të mirë, shoqëri që kishte filluar nga koha e shkollës së mesme e që kishte vazhduar deri në aktin tragjik, ku shtoi se vet kishte qenë afarist në gastronomi e ishte takuar në baza ditore me të ndjerin.

Lidhur me ditën kritike kur ka ndodhur rasti, dëshmitari deklaroi se në atë kohë lokalin e kishte pasur në lagjen “Dardania”, përafërsisht 500 metra larg nga vendi ku është kryer vrasja.

Prokurori Gecaj e ka pyetur dëshmitarin nëse në ndejat e tyre me Triumfin Rizën, a kanë biseduar ndonjëherë rreth punës së tij, ku këtë e pohoi dëshmitari Hoti.

Tutje, ai është pyetur nëse gjatë bisedave, a e ka përmendur ndonjëherë i ndjeri Riza se ka ndonjë problem me dikë, edhe këtë e pohoi dëshmitari, kurse tha se si emër ka përmendur të akuzuarin, Enver Sekiraqa.

Dëshmitari Hoti ka thënë se i ndjeri Triumf Riza, aq sa e di nuk e ka njohur Arben Berishën dhe se në bazë të bisedave që kanë bërë Riza as nuk e ka përmendur të njëjtin dhe mendon se nuk e ka njohur.

Hoti është deklaruar edhe lidhur me ditën kritike kur ishte privuar nga jeta Riza.

“Pasi erdha në punë, në lokalin tim, AM/PM, u takova me shokun tim, Triumf Riza.  Pas disa bisedave që i bëmë dhe dy apo tre herë dolëm të blejmë diçka në marketin e afërt dhe u kthyem prapë. Më pastaj, Triumfi pat një thirrje telefonike dhe u përshëndetëm jashtë lokalit. Pasi hyra në lokal, u dëgjuan krismat.  Dola me vrap, krismat ishin si rrafall, nuk e di sa krisma ka qenë, ka qenë si gjysmë automatike a diçka, të shpejta. Pasi dola jashtë me vrap, në hyrje të tunelit, në banesën përballë, pashë një person me kaçkët duke vrapuar”, ka thënë dëshmitari Hoti.

Duke u  përgjigjur në pyetje të avokates Kelmendi, dëshmitari Hoti deklaroi se sipas informatave që ka marrë nga vendimi i gjykatës, portalet, gazetat, është e saktë se personi që ka parë me kaçkët ka qenë Arben Berisha.

Dëshmitari ka deklaruar se e ka njohur të akuzuarin Enver Sekiraqa, ndërkaq shtoi se nga biseda me Triumf Rizën e ka njohur më së miri.

Ai tha se e ka njohur në figurë Sekiraqën pasi ka pasur biznes të mëhershëm para luftës, ku i ka pasur klientë edhe Sekiraqën, edhe djalin e axhës së tij, në disa raste.  Ndërkaq, deklaroi se Sekiraqa ka qenë edhe në lokalin e tij “AM/PM” e se i kujtohet se ka qenë një herë, kurse periudha kohore kur ka qenë i njëjti aty tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitari Hoti ka deklaruar se me të ndjerin Riza kanë biseduar për shumë tema, dhe sa i kujtohet deklarata e tij, ashtu si i tregoi edhe prokurorit, sa i përket këtij rasti, Riza i ka treguar në shumë raste që është i kërcënuar nga Enver Sekiraqa dhe se hollësisht nuk i kujtohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Kelmendi ka pyetur dëshmitarin nëse i ndjeri ka pasur probleme në përgjithësi dhe se a ka qenë në njohuri.

“Po, por kjo që e thash ka qenë aktuale në atë kohë”, ka thënë Hoti, e avokatja Kelmendi e ka pyetur nëse përveç këtij problemi që sipas tij ka qenë aktual, a ka qenë në dijeni edhe për probleme tjera.

Kurse, dëshmitari deklaroi se aktuale ka qenë  problemi që e ka pasur me Enver Sekiraqen,  sipas të ndjerit e jo sipas tij.

Ndërkaq, tha se si pjesëtar i Policisë së Kosovës, i ndjeri ka pas raste të të gjitha llojeve dhe i ka komentuar kohë pas kohe.

Avokatja Kelmendi deklaroi se e pyeti për probleme sa i përket jetës private, e jo të punës së tij.

“Pasi po insiston avokatja me çel plagë të ngjarjes, unë po du me tregu një biografi të Triumfit. Kjo po pyet, po insiston për diçka që për mendimin tem nuk ka rëndësi. Problemet që po i përmend avokatja, Triumf Riza ka qenë njeri ma i mirë në botë, shoku më i mirë në botë, probleme nuk ka inicu kurrë në prezencën time, aq sa e di. Këto informata apo probleme të punës, mi ka tregu vet i ndjeri”, ka thënë Kelmendi.

“Cilat probleme, ku pe dini për cilat probleme po i përmendi unë. Unë po ju pyes a ka pas, a ju ka tregu dhe a keni qenë në njohuri. Nga po e dini ju për cilat probleme po flas, kur nuk përmenda”, ka pyetur Kelmendi.

“Emra të problemeve nuk përmenda as unë”, u përgjigj i akuzuari, kurse shtoi “rastet e arrestimeve që i ka bërë gjatë detyrës së tij zyrtare”.

“Se ka qenë shok i mirë, se ka qenë njeri i mirë, nuk i konteston askush zoti Hoti dhe ju lus të mos dëshmoni me emocione. Por, meqë u sfidu kredibiliteti juaj do ju pyes a keni qenë në dijeni apo a e keni pas të njohur emrin e Fahredin Krasniqit apo ju ka rrëfyer ndonjëherë i ndjeri Triumf Riza të ketë pasur problem me këtë person”, ka pyetur avokatja Kelmendi.

Dëshmitari u përgjigj duke thënë se nuk i kujtohet, e më pas u pyet se a e ka të njohur emrin Astrit Dibra dhe a i ka rrëfyer ndonjëherë tani i ndjeri Triumf Riza të ketë pasur problem me të, ku edhe për këtë emër, ai deklaroi se nuk i kujtohet edhe për Dibrën.

“A veç i Enverit po të kujtohet a”, tha dikush nga publiku në momentin kur po dëshmonte Hoti, e më pas këtij personi tërhoq vërejtja  nga gjykatësi Agim Kuçi, që të respektojë rendin dhe qetësinë në gjykatë.

Tutje, ai u pyet se a e ka të njohur emrin e personit Lulzim Elshani, përndryshe drejtor i kompanisë “Black Panther”, e i njëjti deklaroi se ka pasur kontratë me këtë kompani për siguri të lokalit. Ndërkaq, deklaroi se nuk i kujtohet se i ka thënë Riza se ka pasur problem me anëtarët e sigurimit të kësaj kompanie.

Sa i përket, problemeve që i ndjeri kishte pasur me Sekiraqën, dëshmitari tha se do të përmend disa që i kujtohen.

“Njëherë ja kanë kall makinën. Pas rastit, Triumfi më ka tregu se e ka prej Enver Sekiraqës. Jo direkt, por se ka qenë si klan, pjesëtarët e grupit dikush.  Rasti tjetër, që më kujtohet, është shpimi i gomave të veturës së Triumfit. Një rast tjetër që më kujtohet është bllokimi i rrugës për në fshatin e Triumfit. Detaje të tjera nuk po më kujtohen”, ka thënë dëshmitari Hoti.

Kurse, tha se rastet e djegies së veturës dhe shpimit të gomave, nuk i kujtohet se a i ka paraqitur i ndjeri në polici.

Dëshmitari Hoti deklaroi se kur e përmendi fjalën “klan, grup”, nënkuptoi grup njerëzish që i frikësohen të gjithë, kurse tha se sa i kujtohet nuk njeh dikë nga ai grup, si dhe konfirmoi se ka dëgjuar për këtë grup.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur dëshmitarin nëse ai personalisht ka pasur frikë nga ai klan apo Enver Sekiraqa, e dëshmitari u përgjigj duke thënë “ asnjëherë”.

Kurse, i akuzuari Sekiraqa ka pyetur dëshmitarin se a i ka folur ndonjëherë i ndjeri Riza për Tahir Fushëkosovën, e dëshmitari e pohoi këtë e tha se sa i kujtohet edhe ai i ka bërë probleme Rizës.

Sekiraqa ka pyetur dëshmitarin se a i ka bërë probleme gjatë detyrës zyrtare apo kanë qenë disa shokë policë civil dhe i kanë dal në rrugë para hymjes së “Bororamizit” dhe e kanë bërë për spital Tahir Fushëkosovën.

“Për rastin e Tahirit, më kujtohet se një koleg i Triumfit ka pësu lëndime trupore prej Tahirit në sy të familjes së tij. Blerim e ka pas emrin kolegu. Krejt kjo sipas thënieve të Triumfit i ka ndodhur kolegut të tij. Për ngjarjen që po referohet, nuk po më kujtohet”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, dëshmitari nga Sekiraqa, është pyetur se a ja ka përmendur i ndjeri emrin e personit Refki Bunjaku, e dëshmitari u përgjigj duke thënë se ndoshta, por se nuk po i kujtohet.

Ky dëshmitar tha se Riza është ndjerë i kërcënuar dhe se gjithmonë ka thënë se kriminelët do t’i qoj prapa grilave. Ndërkaq, shtoi se Riza i ka thënë se ka dëgjuar se do t’i ndodh ndonjë e keqe nga Enver Sekiraqa e grupi i tij.

“Nuk e di prej kujt ka dëgju, por kohëve të fundit Triumfiut iu larguan edhe kolegët e vet prej frikës për veten e tyre”, ka thënë dëshmitari.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqen për vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqes duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.

Prandaj, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të theksojë saktë se cilat ishin veprimet inkriminuese që i akuzuari Sekiraqa i kishte kryer apo jo në këtë çështje penale, si dhe të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të vlerësoj nëse këto prova të mbledhura gjatë kontrollimit të lokalit ishin të pranueshme.

Po ashtu, kjo gjykatë kishte udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli lidhur me rolin e Sekiraqës në grupin e tij, për njerëzit që i bindeshin urdhrave të Sekiraqës dhe se si ai i ngarkonte me detyra dëshmitarët Canolli dhe Xhafer Bislimi.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2019, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat