Gazetari shqiptar: Vlora Çitaku do ta marr këtë post në Qeverinë Rama 3

Aktuale

Gazetari shqiptar: Vlora Çitaku do ta marr këtë post në Qeverinë Rama 3

Nga: A.Zh Më: 1 maj 2021 Në ora: 21:21
Vlora Çitaku dhe Edi Rama

Gazetari shqiptar Çim Peka, ka thënë se ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku, do të emërohet ministre në Qeverinë “Rama 3”.

Peka ka thënë se Çitaku si njeriu “më i afërt i Hashim Thaçit dhe mike personale e familjes Rama”, do të marrë postin e ministres së Punëve të Jashtme në Qeverinë e re shqiptare, përcjell Bota sot.

Në një shkrim autorial, Peka ka theksuar se emërimi i Çitakut nga ana e Ramës si Ministre e Jashtme e Shqipërisë, nuk është thjesht një emërim nepotik, por “amaneti i vërtetë i Thaçit dhe “futje gishtash në sy” për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Shkrimi i plotë i Pekës:

‘Sot, Shqipëria fitoi! Sot, Shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët’

Ky ishte amaneti që Hashim Thaçi i dërgoi Edi Ramës nga qelia në Hagë, me rastin e sigurimit të mandatit të tretë nga ky i fundit. Unë kam përshtypjen se Thaçi akoma dhe sot nuk e di që i ka dërguar një letër të tillë Ramës. Por kjo pak rëndësi ka.

Ajo që Rama na tregon me këtë letër është se sot më shumë se kurrë, ai pretendon të shndërrohet në liderin e shqiptarëve kudo në rajon. Që megalomania e tij është në nivele klinike kjo nuk është çudi, se ky është Rama. Por që ky të pretendojë të marrë rolin e liderit të Kosovës dhe të flasë në emër të saj, kur Kosova ka Kryeministrin dhe Presidentin e saj, kjo pastaj tejkalon megalomaninë.

Kjo shndërrohet në diçka të rrezikshme për Kosovën.

Albin Kurti dhe Edi Rama sot janë në pole të kundërta dhe në marrëdhënie e dobëta personale, pikërisht sepse ky i fundit do të bëhet Zot në shtëpinë e tjetrit. Dhe jo vetëm të bëhet Zot në shtëpi, por dhe t'i shesë oborrin fqinjit verior. Që Rama të uzurpojë këtë rol dhe të minojë pozitën e Kurtit sigurisht i duhet ndihmë dhe nga Kosova. Nga njerëz të afwrt të tij dhe të Thaçit. Askush nuk mund ta luajë këtë rol më mirë se Vlora Çitaku. Njeriu më i afërt i Thaçit dhe mike personale e familjes Rama, ajo pritet të emërohet Ministre e Jashtme në Kabinetin Rama 3.

'Mund t'i citosh, të mos jesh dakord me ta, apo t'i shash, por gjëja që nuk mund të bësh, është t'i injorosh ata...sepse ata i ndryshojnë gjerat'.

Ata që janë aq të çmendur sa të mendojnë se mund të ndryshojnë botën, janë pikërisht ata të cilët e bëjnë këtë'.

Kjo shkon për Edi Ramën’, thotë Vlora Çitaku në një postim të saj në Twitter.

Image

Bashkëpunimi i saj disavjeçar me Thaçin në PDK në 2011 e katapultoi në postin e Ministres për Integrime Europiane. Gjatë kësaj periudhe ajo kishte për këshilltare të veten edhe Linda Ramën, bashkëshorten e Kryeministrit aktual, rekrutuar nëpërmjet programit CBF (Capacity Building Frameëork), finacuar nga UNDP, disa qeveri europiane dhe Soros.

Nepotizmi nga zyrtarët kosovarë bëri që financuesit e këtij programi ta mbyllnin atë vite më vonë. Në vitin 2015, Thaçi e emëron ambasadore në Uashington, post që e mbajti deri para pak kohe. Mandati i saj si ambasadore e Kosovës në Uashington përkoi me iniciativën dhe planin e treshes Vuçiç-Thaçi-Rama për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, i cili parashikonte dhe ndarjen e Kosovës.

E pozicionuar midis Thaçit dhe Ramës, ajo luajti rol qendror si interlokutorja e tyre me Uashingtonin, ku u shquajt veçanërisht raporti i saj i ngushtë me ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të presidentit Donald Trump. John Bolton, jo vetëm që ishte pika kyçe e lobit serb në Uashington, por edhe promotor i ndarjes së Kosovës.

Në fillim të vitit 2020, Albin Kurti, kryeministër i sapozgjedhur i Kosovës paralajmëroi shkarkimin e Çitakut nga posti i ambasadores, pas bllofit të kësaj të fundit me njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës. Pasi ajo kishte njoftuar në rrugë zyrtare krerët e shtetit të Kosovës, se Xhamajka kishte njohur Kosovën, kjo e fundit vetëm një ditë më pas e mohoi të kishte njohur Kosovën.

Në kohën kur nëpër Evropë dhe Komision Evropian qarkullojnë disa të ashtuquajtura 'Non-Papers' duke e rinxjerrë edhe një herë në skenë planin për ndarjen e Kosovës, emërimi i Çitakut nga ana e Ramës si Ministre e Jashtme e Shqipërisë, nuk është thjesht një emërim nepotik, por amaneti i vërtetë i Thaçit dhe 'futje gishtash në sy' për Kryeministrin Kurti.

Në përpjekjen e Ramës për të sfumuar Kurtin dhe për të marrë rolin e liderit kombëtar, emërimi i saj duket të jetë vetëm hapi i parë për të krijuar në Tiranë një shtet paralel të Kosovës.

Ndoshta bash për këtë Ramës po i tolerohet vjedhja industriale e mandatit të tretë dhe po shantazhohet fituesi real i këtyre zgjedhjeve, që t'i pranojë ato.

Image
Çim Peka
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat