Albulena Haxhiu i kundërpërgjigjet akuzave të KPK-së: Asnjëherë nuk do t`i mbyllë sytë

Aktuale

Albulena Haxhiu i kundërpërgjigjet akuzave të KPK-së: Asnjëherë nuk do t`i mbyllë sytë

Nga: A.M. Më: 7 maj 2021 Në ora: 14:26
Albulena Haxhiu

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një reagimi për media kanë akuzuar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, se po bënë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar me shqetësim edhe deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat si të tilla janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial.

Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë?!

Zgjedhja e cilësdo pozitë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfshirë këtu zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse dhe Kryeprokurorit të Shtetit, bëhet në bazë të Kushtetutës ligjit, meritokracisë, transparencës, monitorimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe standardeve më të larta profesionale, e jo nga dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Këtyre akuzave i është kundërpërgjigjur Haxhiu, përmes një postimi në Facebook.

Në kundërpërgjigjen e saj, Haxhiu ka thënë se janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial për ndërhyrje në drejtësi.

“Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë.

Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellur shqetësimet serioze në këtë drejtim.

Për mua si Ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t'i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.

Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t'i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave.

Si Ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institicionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat