​Haxhiu: Vetingun e mbyllim këtë mandat, 4 muaj kohë për koncept-dokumentin

Aktuale

​Haxhiu: Vetingun e mbyllim këtë mandat, 4 muaj kohë për koncept-dokumentin

Më: 10 maj 2021 Në ora: 10:51
Albuena Haxhiu

Grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vetingut të enjten mbajti takimin e parë e i cili do të ketë afat katër muaj për ta përfunduar këtë dokument. Ministria e Drejtësisë, po edhe njohës të fushës së sistemit të drejtësisë, thonë se janë të mjaftueshëm katër muaj për të përfunduar një koncept-dokument që do të adresonte vetingun.

Ministrja e Drejtësisë, Albuena Haxhiu, thotë se grupi punues i themeluar nga ajo do të ketë afat deri në katër muaj për të hartuar koncept-dokumentin për veting.

Ajo shprehet se grupi punues mund të përfundojë punën edhe më herët, por që deklaron se qëllimisht kanë lënë më shumë kohë që anëtarët e grupit të mos ndjehen nën presion.

Haxhiu: Për hartimin e koncept-dokumentit është i mjaftueshëm afati prej katër muajsh

“Unë besoj që për hartimin e koncept-dokumentit është i mjaftueshëm afati prej katër muajsh më së shumti, për faktin se tashmë ka pasur diskutime, tashmë ka dokumente ku vetëm duhet të dakordohen që të finalizohen ose të përfshihen në koncept-dokument. Prandaj, nëse do të ketë rrethana ku grupit punues patjetër i nevojiten edhe mandat shtesë padyshim që nuk do ta pengojë një gjë të tillë, sepse tek e fundit është interesi që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundshme. Mirëpo për aq sa unë mund të jem në dijeni, për sfidat që i kemi diskutuar katër muaj nëse punohet me intensitet dhe me vullnet padyshim që do të adresohet”, thotë ajo.

Pavarësisht sfidave që mund të kenë gjatë rrugës, Haxhiu shprehet optimiste se vetingu në sistemin e drejtësisë do të përmbyllet gjatë këtij mandati qeverisës.

Haxhiu: Vetingu do të përmbyllet brenda këtij mandati

“Unë jam shumë optimiste që vetingu në Republikën e Kosovës në sistemin e drejtësisë do të përmbyllet brenda këtij mandati dhe padyshim që do të punojmë në këtë drejtim. Pavarësisht sfidave që mund t’i kemi gjatë rrugës, sepse dikujt edhe mund t’i pengojë kjo çështje, por besoj që ky proces është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Qëllimi kryesor i tij është për ta kthyer besimin e qytetarëve dhe që Kosova të jetë shtet i së drejtës, prandaj edhe çfarëdo pengese që mund të na dalë në rrugë ne mund ta tejkalojmë me vullnet dhe profesionalizëm”, thotë Haxhiu.

Sa i përket grupit punues, Haxhiu thotë se është gjithëpërfshirës dhe se anëtarët aty janë propozuar nga vet institucionet që përfaqësohen në këtë grup. Po ashtu, ajo potencon se pjesë e grupit janë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të huaja në Kosovë, për të cilët tha se kanë ofruar ndihmën e tyre edhe përmes ekspertëve.

Nisjen e punës për hartimin e koncept-dokumentit për veting e quan lajm shumë të mirë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, e i cili thotë se për hartimin e të njëjtit janë të mjaftueshëm katër muaj.

Ai thotë se pas përfundimit të rishikimit funksional të sistemit të sundimit të ligjit ka analizë të mjaftueshme që mund të shërbejë për përfshirje në koncept-dokumentin për veting.

Miftaraj: Për koncept-dokument besoj që janë të mjaftueshme 4 muaj

“Për koncept-dokument unë besoj që janë të mjaftueshme (4 muaj), sepse fatmirësisht Ministria e Drejtësisë e ka përfunduar tanimë rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, vetëm ky rishikim i sektorit të sundimit të ligjit ka bërë një analizë të thuktë pothuajse të të gjitha fushave që lidhen me sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial, duke përfshirë prej integritetit, profesionalizmit, qasjes në drejtësi, llogaridhënies, transparencës, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pothuajse të gjitha fushave që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kështu që nuk është që grupi i vetingut do ta fillojë punën nga zero, ka materiale, ka analiza, ka rekomandime konkrete, kështu që krejt çka i nevojitet është që këtë dokumentacion të bollshëm që e ka ta analizojë dhe të dalin me qëndrime konkrete se si do të duhej të përfundonte procesi i vetingut”, thotë ai.

Grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për veting do të drejtohet nga Ministria e Drejtësisë, e që ka përfaqësues edhe nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera publike, shoqëria civile. Një anëtarë në këtë grup punues do të jetë edhe nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, por që ende nuk është emëruar asnjë anëtar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat