​Kosova nis kontingjentin e parë me shtëpi modulare për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Aktuale

​Kosova nis kontingjentin e parë me shtëpi modulare për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Më: 15 maj 2021 Në ora: 14:58
Shtëpi modulare

Jo për të migruar, por kësaj radhe Kosova po nis produkte të reja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Katër shtëpi modulare janë nisur të shtunën për Amerikë, ky është kontingjenti i parë nga kompania “BP Home Invest”, së bashku me fabrikën InstaBuilt, e cila është e para në Evropë e certifikuar për shtëpi që eksporton për ShBA.

Drejtori i "Insta Built", Mentor Pllana u zotua se kompania e tij në vitet në vijim do të jetë shembull për zhvillim në Kosovë, si ajo e "Toyota", "Microsoft", e “Apple”. Veç tjerash ai ka njoftuar se në Amerikë do të hapet edhe “Demo Parku”, i parë mes datave 15-30 qershor, i cili do të jetë i hapur gjatë tërë vitit për qytetarët e Amerikës.

Pllana: Instabuilt sot është kompania më e madhe për nga sipërfaqja në Evropë

"Për 30 vjet në Kosovë na kanë definuar tri fjalë: liri, pavarësi dhe demokraci. Ndërsa, për 30 vjet tutje Kosovën do të na definojnë tri fjalë: bashkëpunim, inovacion dhe globalizim. Ndërsa, sot është një ditë e veçantë për familjen tonë, kompaninë tonë dhe për Republikën e Kosovës. InstaBuilt sot është kompania më e madhe për nga sipërfaqja në Evropë që gjendet në Kosovë. Po ashtu, kompania e parë e certifikuar për ndërtime në ShBA-të e cila po ashtu gjendet në Kosovë”, ka theksuar ai.

Blerësi do të ketë mundësinë të menaxhojë shtëpinë e tij në mënyrë digjitale.

Pllana: Sot kompania “Instabuilt” ka kapacitet të prodhojë 500 shtëpi për një ndërrim

“Sot kompania “Instabuilt” ka kapacitet të prodhojë 500 shtëpi për një ndërrim, apo 1000 shtëpi për dy ndërrime në sipërfaqe për 200 m2. Ndërsa deri në vitin 2023 ne planifikojmë të mbërrijmë kapacitetin synojmë për4000 shtëpi për një ndërrim... Ne do të aktivizojmë së paku 18 fabrika tjera përcjellëse të cilët ata do të na furnizojnë neve dhe do të kompletojnë ofertën tonë për ShBA-të. Me fjalë tjera “Instabuilt” është lokomotivë për zhvillimin ekonomik të Kosovës", shtoi Pllana.

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari theksoi se resursi njeri është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Kosovë. U zotua se do të rishikojë të gjitha ligjet, me qëllim të përkrahjes së industrisë.

Hajdari: Kam trashëguar sistem që nuk ka politika të qarta për industri

"Unë si ministre përgjegjëse për industrinë, ndërmarrësi dhe tregti jam e zotuar e përkushtuar për te sjell politika të qarta për industrinë. Dhe për të sjell në pah potencialin tonë që kemi për zhvillim ekonomik tonë. Ne vërtetë mund të ja dalim me resursin njeri që kemi dhe me resurset tona natyrore dhe me gjithë potencialin që kemi ne. E di që biznesi është sfiduar shumë. Kam trashëguar sistem që nuk ka politika të qarta për industri. Kam trashëguar sistem që nuk bën analizë për industri. Dhe unë do të mundohem të analizojë secilin sektor të industrisë për të sjell në pah potencialin që kemi”, ka deklaruar ajo.

Për më tepër, Hajdari u zotua se do të iniciojnë politikat kombëtare për investimin me kritere të qarta dhe rishikimin e disa ligjeve, që sipas saj janë të zbrazëta.

I pari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi u shpreh krenar që Kosova po nis një produkt të ri drejt ShBA-së, duke shtuar se komuna që udhëheq ofron energji për krejt vendin.

Gashi: Kosova nuk po ikin tash me çanta për të kërkuar punë

“Tani Obiliqi po i kthen shtetit mik një produkt të veçantë, që pa dyshim me Mentorin mburremi, me familjen e vet, duhet me i falënderuar për këtë sakrificë të madhe. Besoj në vizionin e Mentorit që Kosova tani po ndryshon. Kosova nuk do të lëviz prej vendeve mike me çanta për të kërkuar punë, por në vazhdimësi po krijohen mundësi të reja për punë dhe produkte cilësore për shtetet mike”, tha Gashi.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se është mirë që sa më shumë të shtrihet bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zeka: Është koha që bilancin tregtar me ShBA-të ta kthejmë në favor tonin

“Është koha që të shtrijmë bashkëpunimin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përtej atij në rrafshin politik dhe ushtarak që e kemi parë kohëve të fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një aranzhim të dyanshëm tregtar që i mundëson Kosovës, respektivisht prodhuesve tanë që të eksportojnë mbi 3 mijë produkte pa iu nënshtruar prokurimeve doganore. Është koha që bilancin tregtar me ShBA-të ta kthejmë në favor tonin dhe ta vazhdojmë këtë trend që ka nisur përgjatë vitit 2020”, ka thënë ai.

E, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se Kosova nuk ka komoditet që të eksportojë njerëz, por të ketë inovatorë në vend.

Rukiqi: E vetmja mënyrë që të krijohen vende të qëndrueshme është që të rritet eksporti

“Kosova nuk e ka komoditetin të thellon deficitin tregtar. Thellimi i deficitit tregtar nënkupton jo krijim të vendeve të reja të punës. Edhe pse edhe ashtu mund të krijohen vende të punës, po ato nuk janë të qëndrueshme. E vetmja mënyrë që të krijohen vende të qëndrueshme është që të rritet eksporti. Me kriju kësi lloj kompanish të cilat eksportojnë njerëz, por eksportojnë produkte tonat. Kosova nuk e ka komoditetin me humb tru, me hup fuqi punëtore. Kosova duhet të fokusohet që të ruaj fuqinë punëtore”, ka theksuar Rukiqi.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërtohet një “DemoPark”, ku dhe do të jetë baza e përfaqësisë dhe partneritetit me zhvilluesit dhe blerësit e ndryshëm të patundshmërive.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat