​Prestreshi: Kemi hetuar KEDS-in se po bëhet pronari më i madh i tokave, nuk pati shkelje në çmimin e Remdesevirit

Aktuale

​Prestreshi: Kemi hetuar KEDS-in se po bëhet pronari më i madh i tokave, nuk pati shkelje në çmimin e Remdesevirit

Më: 18 maj 2021 Në ora: 14:16
Valon Prestreshi

Për çmimet e shtrenjta farmaceutike në kohë pandemia, veçanërisht për medikamentin Remdesivir dhe testet Covid-19 në laboratorët privat, sot kanë ngritur shqetësimet deputetët të Komisioni për Ekonomi gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës– AKK, për vitin 2020.

Deputetët nga Vetëvendosje, Jeta Statovci dhe Driton Hyseni kërkuan përgjigje nga kryetari bordit të AKK-së Valon Prestreshi për ankesat e shumta rreth çmimit të shtrenjtë të Remdesivirit.

Hyseni ngriti edhe shtrenjtimin e produkteve ushqimore në kohë pandemie.

Deputeti Hyseni tha se paralajmërimet nga Autoriteti i Konkurrencës për hetime në treg mund të ndikojë në dështimin e zbardhjes së ankesave nga konsumatorët.

Hyseni: Paralajmërimi për hetimin e çmimeve të Remdesivirit, ka bërë të dështoni në gjetjen e fakteve

“Rasti për Remdesivirin, në momentin që është alarmua opinioni që ka abuzim në treg çmimin e tij, ju menjëherë keni njoftuar se do të filloni me hetim. A mendoni që në momentin që ju keni njoftuar se do të bëni hetim në një farë forme e keni pamundësuar edhe mundësin që ju me gjetur fakte për shkeljet që janë bërë në tregun me këtë medikament? Kjo lidhet edhe me hetime tjera që ju mund t’i iniconi. A mendoni që është e arsyeshme që ju të njoftoni qoftë kartelet e mundshme ose marrëveshjet që po filloni hetim, apo më mirë është të bëhet hetimi dhe vini me konkluzionet e qarta mbi hetimin që e ndërmerrni. Nëse ju dilni publikisht dhe deklaroni se po fillon një hetim, mendoj se ju qysh në start hetimin e keni atakuar në masë të madhe”, theksoi Hyseni.

Mirëpo sipas Prestreshit, për Remdesivirin ka pasur një bujë mediatike, por që sipas tij kur kanë nisur hetimet në treg, nuk kanë hasur në ndonjë shkelje.

Prestreshi: Për Remdesivirin është bërë bujë mediatike, s’ka pasur gjetje

“Te pjesa e Remdesivirit ka pasur një bujë mediatike, por kur jemi futur në detaje nuk ka qenë shqetësim apo nuk ka qenë ndonjë çrregullim direkt i tregut, për këtë edhe kemi mënjanuar këtë çështje. Tek çështja pse po i bëjmë, publike, është së pari i kemi faktet dhe argumentet dhe pastaj dalim në opinion. Synimi ynë i fundit është se nuk dëshirojmë t’i dënojmë kompanitë, është më mirë të avokojmë dhe t’i parandalojmë se sa t’i ndëshkojmë”, theksoi Prestreshi.

Prestreshi duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve po ashtu ka folur edhe për ankesat e shumta të konsumatorëve për KEDS-in.

Kreu i AKK bëri me dije se është duke u hetuar KEDS-KESCO për pronat publike në rastin e investimeve dhe në vendosjen e trafo-stacioneve.

Ai tha se shumë shpejt do të dalin me një vendim final sa i përket hetimeve në këto kompani pasi që është dyshuar se KEDS-i po bëhet pronari më i madh i tokave të Kosovës.

Prestreshi: Kemi hetuar KEDS dhe KESCO, vendimi del në javët në vijim

“Vet fakti që këto dy ndërmarrje ndodhen në një objekt, ekziston mundësia dhe dyshimi këto mund të bëjnë shkëmbimin e informatave, duke e ndër subvencionuar njëra tjetrën dhe duke u vendosur kompanitë tjera në pozita të pa favorshme konkurruese. Ndërsa pjesa e dytë me abuzimin e pjesës dominuese nga shumë ankesa që kemi pranuar nga burimet e ripërtritshme të energjisë nga ndërtimtarët, KEDS i ka kushtëzuar ndërmarrjen që në momentin kur të instalohet trafo stacioni në pronën e tyre, ajo pronë të bëhet në pronësi të KEDS-it. Ne kemi konsideruar këtë si kushtëzim, sepse KEDS-i ka një pozitë monopoliste në aspektin e shpërndarjes së energjisë[...] Kemi dyshuar që me këtë veprim KEDS-i po bëhet pronari më i madh i tokave të Kosovës, pak a shumë ky dyshim ka filluar të zbehët, sepse sipas hetimeve që i kemi zhvilluar nuk po ndodhë të jetë kështu, por janë edhe disa aspekte të tjera që jemi në procedurë dhe po besoj që në javët në vijim do të dalim me një vendim përfundimtar[...]Vendimi ynë përfundimtar nëse del i faktuar, ne do të marrim një vendim sanksionues dhe gjithashtu do të kërkojmë nga KEDS t’i ri-kthej pronat, sepse i ka përfituar në formë të kundërligjshme[...] Ne i kemi vendosur disa pista hetimore ku ne dyshojmë që potencialisht mund të ketë çrregullim të konkurrencës, detaje më të theksuara, jam i rezervuar të jap publikisht”, theksoi Prestreshi.

Prestreshi po ashtu duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit Ferat Shala, tha se nuk ka ndonjë çrregullim të theksuar rreth çmimit të çimentos. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat