Ndalja e rrymës në seancën e Ukë Rugovës, reagon KEDS: Rryma nuk është ndaluar nga kompania

Aktuale

Ndalja e rrymës në seancën e Ukë Rugovës, reagon KEDS: Rryma nuk është ndaluar nga kompania

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, është ndalur energjia elektrike gjatë seancës ku po mbahej gjykimi për Ukë Rugovën dhe të tjerët. Për këtë çështje, ka reaguar edhe KEDS-i.

Në reagimin e KEDS-it bëhet e ditur se nuk ka pasur ndonjë prishje dhe se energjia elektrike nuk është ndaluar nga kompania.

Sipas KEDS-it, nuk ka pasur asnjë interferim deri tek asetet e brendshme të Pallatit të Drejtësisë.

“Në disa media sot ka dalë një lajm që në Pallatin e Drejtësisë është ndalë energjia elektrike, prandaj nuk ka qenë e mundur të mbahet një nga seancat e rëndësishme të parpapara për sot. KEDS bën me dije që nuk e ka ndalë energjinë elektrike dhe nuk ka pasë asnjë prishje apo ndonjë interferim deri tek asetet e brendshme të Pallatit të Drejtësisë. Pra, sa i përket anës tonë gjithçka ka qenë në rregull dhe në bazë të normave të parapara”, thuhet në reagim.

Ndryshe, në seancën e sotme është paraparë të dëgjohen dy dëshmitarë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit, shkruan Betimi për Drejtësi.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat