“Goditja amerikane ka filluar”, avokati shqiptar paralajmëron zhvillime të forta në fillim të verës

Aktuale

“Goditja amerikane ka filluar”, avokati shqiptar paralajmëron zhvillime të forta në fillim të verës

Nga: A.ZH Më: 14 qershor 2021 Në ora: 15:30
Spartak Ngjela

Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka thënë se ka filluar “goditja amerikane”, ndaj liderëve historikë të korrupsionit shqiptar.

Ai ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të bëhet publike gjatë ditëve të para të kësaj vere, përcjell Bota sot.

Avokati ka folur edhe për çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se ai është në rënie mendore dhe se amerikanët “po qeshin me gjendjen e tij psikike”.

Ngjela ka paralajmëruar se pas goditjes së korrupsionit të lartë, Shqipëria do të bashkohet me Kosovën.

Postimi i plotë i Ngjelës në Facebook:

Politika amerikane, në lidhje me Shqipërinë, e thekson hapur se: dy janë segmentet që cenojnë sigurinë e Amerikës në Shqipëri - korrupsioni i lartë shtetëror dhe, ndërhyrja e Rusisë me veglat e saj në Tiranë.

Korrupsioni në Shqipëri është multifunksional: në politikë, në media dhe në krimin e organizuar.

Goditja ka filluar...

l.

Këta janë, në fakt, dy aspektet themelorë të banditizmit politik dhe degradimit antishqiptar; të gazetarisë shqiptare dhe stacioneve televizive në Shqipëri.

Por, politika amerikane theksoi edhe faktin që ka një konflikt të hapur interesash në Ballkanin Perëndimor midis Amerikës dhe Rusisë.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni deklaroi që "Shqipëria është partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor". Dhe, me influencën e tyre, e zgjodhën Shqipërinë anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB.

Njëherësh me këtë, Amerika shpalli nongrata edhe ish kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe, njëherësh, politika amerikane theksoi se ajo "do t'a likuidojë në Shqipëri të gjithë korrupsionin e lartë shtetëror".

Po korrupsioni i lartë si po vepron?

Më të shqetësuar, që po e shprehin hapur shqetësimin e tyre, dallojnë të jenë Meta dhe Berisha. Kurse Rama deklaroi në kongresin e Partisë Socialiste se "të gjithë të akuzuarit për korrupsion nuk do të mbrohen nga partia".

Domethënë që çështja është bërë tashmë konkrete.

Në të njëjtën kohë, Berisha po u thotë amerikanëve: "unë do të marr sërish Partinë Demokratike". Siç shihet, këtij po i duket se po merr kryesinë e Partisë Demokratike në Uashington. Është në rënie mendore, prandaj amerikanët po qeshin me të për gjendjen psikike që paraqet, sidomos për atë "dashurinë e tij të madhe" për Amerikën, që i ngjan si dy pika uji "dashurisë" së Enver Hoxhës për Bashkimin Sovjetik, kur politika sovjetike e kish quajtur armik të Bashkimit Sovjetik. Historia e një vendi e përsërit vetveten edhe në përsëritjen e liderëve me marrëzi të barabartë. Kjo është e njohur tani.

Po tabloja shqiptare si duket sot?

ll.

Shqiptarët sot janë të pushtuar nga korrupsioni. Por kjo nuk është një gjë e re, sepse deri tani sunduesit e qeverive shqiptare kanë qenë të egër, zhvatës të shtetit dhe të shqiptarëve, kanë qenë edhe shitës të pështirë të interesit kombëtar. Por kohët ndryshuan.

Pas njëqind vjetësh, erdhi koha që këta zhavatës të shkallmohen me gjithësej, me prona, me para, dhe më pas, edhe me dënim penal.

Kjo është ajo që po përgatitet dhe pritet të shfaqet me forcë këto ditë të para të kësaj vere.

Dhe duhet theksuar që kjo është një gjë e sigurt tani. Përditë po dalin prova dhe korrupsioni i lartë shtetëror duket si i pashpresë. Dhe realisht nuk ka shpresë, sepse reforma antikorrupsion, në spektrin e drejtësisë, ka marrë ndërkaq formën e një sistemi të plotë juridik.

Por, likuidimi i korrupsionit në Shqipëri, do të krijojë realisht atë mundësi të humbur historike që shqiptarët e humbën në vitin 1912, dhe e vuajtën në 109 vjet.

Shqipëria do bashkohet me Kosovën, dhe shqiptarët do të fillojnë një jetë të re kombëtare, me ngjarjet proshqiptare, në të katër shtetet me kombësi të gjerë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Mos harroni! Edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, shtete shqiptarësh janë. Dhe, mos harroni gjithashtu, se edhe Greqia një shtet shqiptarësh është...

lll.

E gjithë kjo situatë me frymë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, do të vijë menjëherë pas rrëzimit me akuzë penale dhe konfiskim të pronave të grabitura të kryeministrave dhe ministrave të korruptuar, hajdutë në tri dekada.

Këtë, në fakt, po e përsërit prej tre vjetësh politika amerikane. Por, për të arritur këtë, duhen eliminuar sa më shpejt liderët historik të korrupsionit shqiptar, të cilët kanë shitur e po duan të shesin interesin kombëtar. A e di politika amerikane këtë? Nga shenjat dhe lufta që po iu bën të korruptuarve, kuptohet që politika amerikane është në dijeni të plotë të gjithçkaje. Madje ka shkuar deri në një proces me akuza që po vijnë nga shpallja non grata e krerëve të korrupsionit të lartë në Shqipëri.

Në vendet me fe islame, korrupsioni i lartë shtetëror, si rregull, është bashkuar me terrorizmin islam. Dhe ky dihet tani që është shqetësim amerikan.

Po në Tiranë, çfarë po ndodh aty, mbas goditjes drastike që politika amerikane i dha Sali Berishës për korrupsionin e tij familjar?

Asgjë e veçantë, dallon: mbrojtja pa sens logjik e Saliut, frika e të korruptuarve, shqetësimi i korrupsionit mediatik; dhe, më në fund, pritja optimistike e shqiptarëve për çlirimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat