​Komisioni për Administratë Publike inicion shkarkimin e anëtarëve të KPMShC-së

Aktuale

​Komisioni për Administratë Publike inicion shkarkimin e anëtarëve të KPMShC-së

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 13:13
​Komisioni për Administratë Publike

Me gjashtë vota për, katër kundër, Komisioni për Administratë Publikë, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka iniciuar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe kërkesa i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim.

Deputeti i LVV-së Valon Ramadani, ka kërkuar që të iniciohet shkarkimi i anëtarëve të Këshillit në mënyrë, që siç tha ai, t’i hapet rrugë një konkursi që të ketë pavarësi në këtë institucion.

Kërkesa e tij është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kanë votuar kundër.

Komisioni në mbledhjen e sotme ka diskutuar për dorëheqjen e kryetarit të Këshillit dhe informatat e dërguara nga Këshilli sipas kërkesës së komisionit.

Komisioni kishte kërkuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, informacion shtesë për të gjitha lëndët që kanë qenë në pritje para se Këshilli të vendos për lëndën e Nexhat Krasniqit,numrin e saktë të të gjitha lëndëve në pritje, datën e saktë të parashtrimit të secilës ankesë, kërkesë apo parashtresë që ka qenë në pritje dhe është dorëzuar para lëndës së Nexhat Krasniqit, e që megjithatë nuk është trajtuar para kësaj lënde.

Kërkesë tjetër ka qenë se a janë trajtuar të gjitha rastet që u evidentuan si në pritje brenda afatit 45 ditësh, si dhe dokumentacionin e plotë lidhur me lëndën e Nexhat Krasniqit.

Kryetarja e Komisionit, Doarsa Xhelili-Kica, tha se nuk kanë marrë të gjitha informacionet që kanë kërkuar nga KPMSHC.

Kica: Pajtohem që informatat që i kemi kërkuar nuk i kemi pranuar

“Pajtohem që informatat që i kemi kërkuar nuk i kemi pranuar, sepse nuk i kam as datat e protokollit për lëndët që kanë qenë në pritje, që në fakt e kam kërkuar në mënyrë shprehimore në letër, as numrin e saktë të lëndëve në pritje që janë trajtuar në 45 ditëshin që ne po flasim. Po në anën tjetër këtu po më konfirmohet që megjithatë paska pasur lëndë të vitit 2019 të cilave iu ka skaduar afati i vendimmarrjes”, tha ajo.

Deputeti i LVV-së, Fitim Haziri, tha se në informacionet që kanë pranuar nga Këshilli nuk është vërtetuar dyshimi i tyre se lënda e Nexhat Krasniqit është trajtuar me qëllim dhe lëndët e tjera janë anashkaluar.

Haziri: Është shkelje e nenit 12 që këta kanë qenë të anshëm

“Nuk na kanë ofruar një bazë që më të vërtetë e hedh poshtë atë dyshimin tonë të ngritur atë ditë dhe unë mendoj që kjo lëndë e trajtimit të Nexhat Krasniqit është trajtuar me qëllim dhe janë anashkaluar plot lëndë të tjera më herët. Dyshimi im është ky që ata nuk kanë qenë të përgjegjshëm në bazë të kërkesave që ne ia kemi kërkuar atyre, unë nuk kam çka të shtoj tjetër përveç që ata nuk janë përgjigjur kërkesave të cilat ne i kemi parashtruar. Kështu që, kjo na len të kuptojmë se ata po fshehin diçka dhe këtu është shkelje e nenit 12 që këta kanë qenë të anshëm, e që në fakt nuk guxojnë të jenë të anshëm në ushtrimin e funksionit të tyre”, tha ai.

Mirëpo, me këto konstatime nuk është pajtuar deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, i cili tha se nga ato informacione që i kanë marrë nuk sheh se të njëjtit i kanë ikur përgjegjësisë.

Lushtaku: Nuk e shoh që i kanë ikur përgjegjësisë

“Shihet qartë që kanë pasur punë voluminoze në këtë drejtim dhe unë e shoh që ata e kanë kryer detyrën e vet në këtë drejtim. Nuk e shoh që i kanë ikur përgjegjësisë[...]nuk po shoh në këtë drejtim ndonjë shkelje nëse nuk kemi fakt të veçantë, nëse kemi dyshime për anësi atëherë ne sigurisht që duhet të bëjmë kërkesë edhe për një komision hetimor, por me një mbledhje të tillë nuk kemi mundësi me përkufizu anësinë apo paanësinë e Këshilli të Pavarur”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat