​Qeveria në proces të rishikimit të buxhetit, ekonomistët kërkojnë harmonizim të rimëkëmbjes

Aktuale

​Qeveria në proces të rishikimit të buxhetit, ekonomistët kërkojnë harmonizim të rimëkëmbjes

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 12:34
Qeveria e Kosovës

Qeveria është në proces të konsolidimit të rishikimit të buxhetit e që pritet shpejt ta aprovojë dhe ta dërgojë në kuvend për miratim. Por njohës të ekonomisë kërkojnë që në këtë projektligj të harmonizohen prioritetet e qeverisë dhe programi qeveritar për rimëkëmbje ekonomike.

Aktualisht në bazë të të dhënave zyrtare muajve të fundit ka rritje të aktivitetit ekonomik dhe trendit të të hyrave buxhetore nga dogana dhe ATK-ja, që mundësojnë rritjen e projeksioneve buxhetore mbi 2.4 miliardë sa është ai bazik për këtë vit.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi thekson se momentalisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është duke bërë konsolidimin e të dhënave që ka marrë nga Organizatat Buxhetore dhe është në proces të konsolidimit të buxhetit. Teksa shton se nuk ka ndonjë datë të caktuar për miratim, pasi është proces që është duke ndodhur.

Kelmendi: Propozimi për aprovim të rishikimit të buxhetit presim shpejt të vije në Qeveri

“Fillimisht Ministria e Financave ka dërguar tek organizatat buxhetore instruksionin për rishikim të buxhetit. Aktualisht kjo Ministri është duke bërë konsolidimin e të dhënave të pranuara nga organizatat buxhetore dhe duke bërë konsolidimin e buxhetit. Presim që shumë shpejt propozimi për aprovim të rishikimit të buxhetit të vije në Qeveri e pastaj ky projektligj të kaloj në Kuvend”, theksoi Kelmendi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi duke kërkuar që mos të hiqen projektet kapitale me anë të rishikimit, thotë se duhet parë mundësinë që të mbështeten sektorët ekonomikë të cilët janë ndikuar nga pandemia Covid-19.

Rukiqi: Rishikimi nuk len shumë hapësirë të madhe për pjesën e mbetur të vitit

Video

0’50

“Rishikimi nuk len shumë hapësirë me krijuar ndonjë pakt(ndikim) të madh për pjesën e mbetur të vitit buxhetor, por sigurisht që ne insistojmë të vazhdohet me projektet e rëndësishme kapitale, të cilat domosdoshmërisht kanë efekt në ekonomi. Po ashtu duhet të shikuar mundësia që të përkrahen edhe sektorët ekonomik të cilët kanë pasoja më të mëdha nga pandemia dhe kjo duhet me u bërë me një analizë duke parë gjendjen nga një perspektivë tjetër, pasi që tani ne shohim se kemi një hapje me të madhe të ekonomisë. Kemi një rritje të qarkullimeve në ekonomi dhe kjo normalisht që kërkon analizë shtesë në mënyrë që efekti të jetë më i madh”, thotë Rukiqi.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Bardh Ahmeti thotë se përveç prioriteteve qeveritare të cilat duhet të harmonizohen me buxhetin e shtetit duhet të bëhet edhe rishikimi i linjave financiare të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike për të mbështetur sektorin privat dhe qytetarët e prekur nga pandemia.

Ahmeti: Me rishikim të harmonizohen linjat financiare të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike

“Nga rishikimi i buxhetit pres fillimisht harmonizim të projeksioneve buxhetore me prioritet e qeverisë dhe programin qeveritar. Sigurisht që disa prej tyre kanë shtrirje katër vjeçare, por disa politika kërkojnë implementim të menjëhershëm, siç janë ndihma financiare për familjet të cilat kanë humbur kryefamiljarin në luftë me pandeminë, ndihma direkte financiare për të rinjtë e punësuar për herë të parë për një vit në nivel të pagës minimale. Pastaj është ndihma direkte financiare për personat që kanë humbur vendet e punës si rezultat i ndikimit të pandemisë. Po ashtu përveç prioriteteve qeveritare të cilat duhet të harmonizohen me buxhetin duhet të bëhet edhe rishikimi i instrumenteve financiare të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike duke ditur që qeveria aktuale ka pasur kritika dhe mendime ndryshe për këtë ligj... Meqenëse ka rritje të të hyrave nga dogana dhe administrata tatimore, ka një rekord të volumit të eksporteve, prandaj ky trend pozitiv duhet të mbështet nga qeveria me instrumente dhe me përmirësim edhe mëtutjeshëm të klimës së të bërit biznes Kosovë”, thekson Ahmeti.

Buxheti 2021 i miratuar nga ish-Qeveria Hoti që pritet të rishikohet me ekzekutivin e drejtuar nga kryeministri Kurti është 2 miliardë e 412 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat