LDK kritikon Qeverinë dhe Donika Gërvallën për fjalimin në...

Aktuale

LDK kritikon Qeverinë dhe Donika Gërvallën për fjalimin në...

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 15:20
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar sot qeverinë “Kurti”, në 100 ditëshin e qeverisjes. 

Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi gjersa foli për qëndrimet e kësaj partie karshi zhvillimit të politikës së jashtme të qeverisë, tha se zyrtarë të saj kanë bërë deklarata të pamatura në platforma ndërkombëtare.

Këtu ajo përmendi edhe fjalimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit. 

“Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të fjalimeve të pamatura të zyrtarëve të lartë qeveritarë në platforma ndërkombëtare, të cilat devijojnë nga qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës. I tillë ishte rasti me paraqitjen e Ministres së Punëve të Jashtme para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill”, ka thënë ajo.

Fjalimi i plotë:

Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për politikën e jashtme të 100 ditëshit të Qeverisë Kurti II:

1) NDRYSHIM I QËNDRIMEVE

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë udhëhiqej nga parimi ‘jo-negociata’. Ajo çfarë kemi parë në të vërtetë është transformim i skajshëm nga qëndrimi jo-negociata në dialog pa kushte.

Përpos kësaj, Dialogu doli të ishte prioriteti Numër 1 pavarësisht se e njejta deklaronte që dialogu do të jetë i shtati për nga prioritetet.

2) DIALOG JO-PËRMBAJTËSOR

Qeveria e Kosovës iu qas Dialogut me Serbinë pa një platformë të qartë për vizionin, afatet kohore dhe rezultatet konkrete që synohen të arrihen.

Për më tepër, me propozimet e bëra nga Qeveria Kosovës dialogu u reduktua në çështje teknike, të cilat do ta zvarrisin arritjen e një marrëveshje përfundimtare. I tillë ishte rasti me propozimin e shndërrimit të CEFTA-s në SEFTA.

3) DËMTIM I KREDIBILITETIT NDËRKOMBËTAR

Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për të iu ikur obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Ëashingtonit, përmes interpretimit të kësaj marrëveshje si juridikisht të pavlefshme.

Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë që është duke punuar ngushtë me Qeverinë e SHBA-ve për ketë dhe për çështjet tjera.

4) MUNGESË E SERIOZITETIT INSTITUCIONAL

Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të fjalimeve të pamatura të zyrtarëve të lartë qeveritarë në platforma ndërkombëtare, të cilat devijojnë nga qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës.

I tillë ishte rasti me paraqitjen e Ministres së Punëve të Jashtme para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill.

5) APROVIM I MARRËVESHJEVE NDËRKOMBËTARE TË CILAT E DISKRIMINOJNË KOSOVËN

Qeveria aprovoi marrëveshjen për lëvizje të lirë, nga e cila do të përfitojnë qytetarët e rajonit por, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të diskriminohen për shkak të barrierave të vendosura nga ana e Serbisë.

Çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve ka qenë pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut mirëpo, edhe kjo është një prej marrëveshjeve të shumta që nuk është zbatuar nga Qeveria e Serbisë. Qeveria Kurti duhet t’na tregojë a do të mënjanojë pengesat e mëhershme si rezultat i marrëveshjes së re për lëvizje të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat