​Mehaj: Kemi ri-destinuar 7.7 milionë euro për blerje ushtarake, kemi ulur shpenzimet

Aktuale

​Mehaj: Kemi ri-destinuar 7.7 milionë euro për blerje ushtarake, kemi ulur shpenzimet

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 17:06
Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka raportuar para kabinetit qeveritar për 100 ditë të qeverisjes, ku ka theksuar fuqizimin e mbikëqyrjes demokratike dhe civile, si dhe rritjen e transparencës në këtë institucion.

Mehaj ka thënë se qysh në ditët e para kanë marrë vendim për uljen e shpenzimeve dhe kanë ndalur të gjitha aktivitetet jashtë planit të prokurimit.

Mehaj: Kemi marrë vendim për uljen e shpenzimeve

“Fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës, për të arritur këtë objektiv deri më tani kemi marrë këto vendime e veprime: vendimi për rritjen e efikasitetit për përdorimin e veturave zyrtare, vendimi për uljen e shpenzimeve të reprezentacionit për mbi 55%, janë ndalur të gjitha aktivitetet jashtë planit të prokurimit, me qëllim të avancimit të procesit të prokurimit kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me ambasadën e Britanisë dhe Ambasadën e Norvegjisë”, ka thënë ai.

Si një prej objektivave kryesore, Mehaj ka përmendur zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Mehaj: Kemi ri-destinuar 7.7 milionë euro për blerje ushtarake

“Kemi bërë rishikimin e buxhetit për vitin 2021, kemi ri-destinuar 7.7 milionë euro për blerje ushtarake, kurse qeveria ka ndarë fonde shtesë për blerje 4.5 milionë euro vetëm për blerje ushtarake, konkretisht dronët. Vetëm për 100 ditë të qeverisë janë ndarë gjithsej 12.2 milionë euro për blerje ushtarake”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur se kanë pranuar pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Mbretëria e Bashkuar.

Mehaj ka thënë se kanë ndarë 4.2 milionë euro për shlyerjen e borxhit të doganës, për të cilin ka theksuar se ishte i trashëguar nga qeveria e kaluar.

Ai ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i rekrutimit të 400 ushtarëve të rinj dhe Ministria e Mbrojtjes është në proces të rekrutimit të 29 kadetëve të rinj.

Si një prej sukseseve më të mëdha, ai ka përmendur zbarkimin e pjesëtarëve të forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e parë paqeruajtës në botë dhe pjesëmarrjen, si vend pritës, në ushtrimin më të madh ushtarak amerikan, “Defender Europe 21”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat