​Haxhiu: Shkelët procedurat për shkarkimin e bordit të RTK-së, Konjufca i përgjigjet

Aktuale

​Haxhiu: Shkelët procedurat për shkarkimin e bordit të RTK-së, Konjufca i përgjigjet

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 13:26
Bekim Haxhiu

Pas shkarkimit të anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar duke thënë se është bërë shkelje e procedurave ligjore.

Sipas tij, propozimi i komisionit ka qenë për bordin dhe jo për anëtarët veç e veç, siç kanë votuar për shkarkimin e tyre.

Haxhiu: Sapo bëtë shkeljen më të madhe procedurale dhe ligjore

“Ju dhe deputetët që votuat tani sapo bëtë shkeljen më të madhe procedurale dhe ligjore. Propozimi i komisionit ishte për bordin, për përgjegjësitë e bordit, asnjë arsyetim për asnjë prej anëtarëve të bordit që vendosët t’i shkarkoni një nga një nuk ka qenë pikë e rendit të ditës, as nuk ka pasur arsyetim për asnjërin prej këtyre anëtarëve të bordit që sapo i shkarkuat e propozimi ishte për shkarkimin e bordit të RTK-së, jo për shkarkimin individual me arsyetimet e veçanta për gjithsecilin. Kjo është shkelje procedurale dhe shkelje ligjore, të cilën po besoj të sapo shkarkuarit do ta adresojnë në rrugët ligjore”, tha ai.

Atij i ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se kushdo që mendon që ka parregullsi t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore.

Konjufca: I keni të gjitha instrumentet ligjore në dorë që t’i ndiqni

“Të gjithë ata që mendojnë që procedura ka pasur shkelje apo parregullsi mendoj që i keni të gjitha instrumentet ligjore në dorë që t’i ndiqni, përfshirë këtu edhe ata që mendojnë që janë shkarkuar padrejtësisht si anëtarë të Bordit të RTK-së”, tha Konjufca.

Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar anëtarët e bordit të RTK-së në seancën e sotme, ku votimi për shkarkimin e anëtarëve është bërë veç e veç për secilin anëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat