Në Kosovë kujtohet gjenocidi në Srebrenicë: Kriminelët duhen dënuar

Aktuale

Në Kosovë kujtohet gjenocidi në Srebrenicë: Kriminelët duhen dënuar

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 13:31
Në Bosnje e Hercegovinë sot shënohet 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës.

Përfaqësues të institucioneve në Kosovë kujtuan të dielën gjenocidin në Srebrenicë - 26 vjet pas ndodhjes së tij.

Kryeministri Albin Kurti kujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe shtetet e rajonit ftohen që të bëjnë përpjekje shtesë “për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit”.

“Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por, themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve”, shkroi Kurti në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se akte të tilla “barbare”, si masakra e Srebrenicës, “duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë”.

“Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës janë pjesë e së njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim”, tha Osmani, duke kujtuar masakrat e forcave serbe në Kosovë, në vitin 1999.

Në Bosnje e Hercegovinë sot shënohet 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në qendrën përkujtimore Potoçari sot do të varrosen eshtrat e 19 viktimave të Srebrenicës, të identifikuara së voni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat