Shkëlzen Gashi thotë se SHBA do të ndërhyjë në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Shkëlzen Gashi thotë se SHBA do të ndërhyjë në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 22:12
Shkëlzen Gashi

Publicisti Shkëlzen Gashi po e sheh si pozitive tentimin e Kosovës për të definuar parimet që s’duhet vënë në negociata me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ai po kritikon lehtësuesit europianë që nuk po e bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë thotë se do të duhet një ndërhyrje në proces nga një palë më e fuqishme që e vë këtë kornizë.

“Për herë të parë në procesin negociues mes Kosovës dhe Serbisë pala kosovare po tenton t’i definojë parimet e panegociueshme të procesit negociator, gjë që ishte dashur ta bëjë ndërmjetësuesi. Lajçak dhe Borrell është dashur që në fillim ta bëjnë këtë dhe mendoj që ato parime duhet me qenë tri. Nëse nuk mundet me qenë njohje reciproke e potencuar në mënyrë eksplicite atëherë me qenë normalizim i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të nënkuptonte normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe parim tjetër me qenë që palët negociatore, Kosova dhe Serbia, të shkojnë me listën e problemeve që po duan t’i zgjidhin”.

“Mendoj që do të ketë një ndërhyrje të SHBA-së për vetë faktin që BE-ja s’po mundet t’i definojë parimet e panegociueshme të këtij procesi tregon që këtu duhet me pasë një ndërhyrje të një ndërmjetësuesi që është larg më i fortë se Bashkimi Europian dhe mendoj që ndërhyrja e SHBA-së do të jetë e atillë që të paktën ¾ e dokumentit kanë me qenë të panegociueshme”

Gashi në Rubikon tha se krimet e kryera në Kosovë që Kurti synoi t’ia jepte Vuçiqit përmes librave do të duhej të ishin njëri nga problemet që duhet zgjidhur, por se po mungon hartimi i listës së plotë të problemeve edhe nga ana e kosovarëve.

“Ekipi negociator i Kosovës nuk po e bëjnë këtë listë të problemeve dhe kjo po më shqetëson. Kjo duhet të jetë publike për ta diskutuar në Kuvend apo shoqëri civile”.

Derisa të përfundojnë zgjedhjet lokale të tetorit në Kosovë dhe ato presidenciale të prillit në Serbi, Gashi s’mendon që do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Meqenëse ka me pasë zgjedhje në Kosovë, edhe pse janë lokale ato janë shumë të rëndësishme për kryeministrin e Kosovës që përqindja e 14 shkurtit mos me ra, si dhe meqenëse ka me pasë zgjedhje vitin e ardhshëm në Serbi atëherë unë s’pres që do të ketë përparim në këtë proces negociator”

Gashi ka thënë se derisa Serbia nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën nuk mund të ketë normalizim të raporteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat