​Përplasen deputetët për Bordin e ZRrE-së, ministrja Hajdari premton adresimin e barrierave Kosovë-Shqipëri

Aktuale

​Përplasen deputetët për Bordin e ZRrE-së, ministrja Hajdari premton adresimin e barrierave Kosovë-Shqipëri

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 15:45
Rozeta Hajdari

Në Komisionin për Ekonomi ku raportoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për nivelin e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, ajo ka theksuar se sa i përket këtij Ligji kanë avancuar në zbatimin e tij, por që kanë hasur edhe në problematika sikur me rastin e sanksioneve.

Ndonëse në këtë Komision gjatë shqyrtimit të propozimit të Qeverisë me emrat e kandidatëve për kryesues dhe anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) pati kritika nga deputetët e opozitës, të cilët e quajtën politik dhe skandaloz.

Ministrja Hajdari duke folur për Ligjin për Shoqëritë Tregtare, veçoi se me sanksionet kanë hasur në vështirësi.

Hajdari: Në Udhëzimin për sanksionet ne kemi hasur në vështirësi

"Sa i përket Udhëzimit për sanksionet ne kemi hasur në një vështirësi , sepse vjen një përgjigje nga opinioni ligjor po ashtu edhe nga ARBK-ja s'e këto sanksione mund të jenë në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje[...]Tani ne jemi në shqyrtim të ligjit tutje për rishikim dhe së bashku me deputetët nga ky Komision dhe me akter të bizneseve do të shikojmë se si është më së miri mundësia e zbatimit të këtij ligji tutje", theksoi Hajdari.

Ajo po ashtu ngriti edhe një çështje ku shumë biznese siç tha ajo janë regjistruar vetëm sa për të përfituar grante, dhe janë çregjistruar, për çka ka ftuar nga këtu ATK-në që të ndërmerr masa.

Hajdari: Shumë biznese janë regjistruar sa për të përfituar grante

"Po, ne kemi shumë probleme që i kemi trashëguar sa i përket ekonomive sidomos familjare, bujqve. Nga përvoja ime profesionale deritanishme kemi hasur që edhe shumë biznese ose ekonomi familjare që kanë fituar grante, ku janë regjistruar sa për të marrë grantet dhe pastaj janë çregjistruar. Kjo dukuri është një evidencë si në grantet e shtetit ashtu edhe ato të bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo duhet të adresohet përmes ATK-së dhe përmes Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve(ARBK-së)", tha Hajdari.

Ndërsa sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe barrierave me Shqipërinë, ministrja Hajdari theksoi se do t’i adresojnë të gjitha problemet e bizneseve. Derisa ka thënë se edhe Shqipëria ka probleme me palën kosovare në kufi.

Hajdari: Problemet ekonomike Kosovë-Shqipëri do t'i adresojmë

"Ne duhet të adresojmë shumë çështje që kemi sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë. Por, nuk është qëllimi që tani të fillojmë ne me detyruar vërtet njëri tjetrin(shtet me shtet), por të gjejmë një bashkëpunim të mirë me frymën e mirë për zhvillim të dy shteteve. Nuk është që Shqipëria nuk ka probleme me ne, prandaj si llogaridhënës të dy shteteve ne të mundohemi të sjellim një zgjidhje të përbashkët për rajonin", theksoi ajo.

Ndërsa, në këtë mbledhje të sotme, përkundër kritikave nga deputetët e opozitës, anëtarët e Komisionit për Ekonomi me shumicë votash kanë votuar propozimin e Qeverisë me emrat për kandidatë për kryesues dhe anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala nga PDK-ja theksoi se Qeveria padrejtësisht ka eliminuar kandidatët me më shumë pikë për anëtar bordi, dhe ka favorizuar kandidatët tjerë, siç tha ai nga fundi i listës.

Kjo mënyrë e përzgjedhjes sipas Shalës është shkelje ligjore dhe ndërhyrje politike.

Shala: Përzgjedhja e Bordit të ZRrE-së me shkelje ligjore dhe veprime politike

"E di që do të kaloj, por konsideroj që shkeljet janë, veprimet janë tipike politike që po tentohet që edhe në këtë sektor shkojnë militant partiak, ndryshe nuk mund ta përkufizojmë. Ky është qëndrimi im, për këtë unë do të votojë kundër, pasi është bërë një shkelje e parimeve dhe kritereve edhe ligjore... Për më keq disa nga këta kandidatë kanë qenë të përzgjedhur edhe nga konkursi i kaluar që është anuluar po nga kjo qeveri, e që në atë konkurs kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësuesit e konsulencës angleze", u shpreh Shala.

Po kështu kritika pati edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj i cili theksoi se propozimi i qeverisë është puro politik, të cilin e quajti skandal.

Lekaj: Emërimet qesharake dhe skandaloze

“Me këtë po iu themi se aq po dilni mos ta them atë fjalën e fundit, që keni bërtitur sa keni mundur që të gjithë të rekrutuarit janë politik, të afërt[...]Ndërsa çka ndodhi tash me këtë qeveri. Para dy tre ditëve kemi pasur edhe vendime të tjera. Kjo mendoj se është qesharake dhe skandali më i madh që mund të bëhet", tha Lekaj.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila ka mbështetur propozim vendimin e Qeverisë, për çka tha se kanë eliminuar emrat që kanë qenë pjesëtar të VV-së.

Kusari-Lila: S'ka ndikim politik, lista me kandidatë është në rregull

"Ne sot në listë, me vendim të qeverisë i kemi dy kandidatë, Ymer Fejzullahu dhe Vehbi Sofiu, për një arsye të thjesht, se kandidati numër 1, Berat Lahu që ka dalë me më së shumti pikë është asamblisti i VV-së. Përkundrejt faktit që Lahu ka kualifikimet profesionale dhe akademike, duke qenë se ka shërbyer edhe si drejtor më herët i KEDS-it në periudha shumë më të hershme, dhe ka kualifikimin akademik. Kështu që për mos me ardhur deri te kjo rrethanë dhe te këto deklarime që ju sa po i theksuat, që politikisht po shtyhet përpara, qeveria nuk e ka sjellë këtë emër, përkundër që i ka pasur poenat. Qeveria në listim ka sjellë ashtu si janë votuar me poena dy kandidatë tjerë për kryesues dhe sipas rekomandimit të Zyrës ligjore të Kuvendit. Lista është në rregull", theksoi ajo.

Komisioni për Ekonomi me 6 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim ka votuar propozimin e Qeverisë me emrat për kandidatë për kryesues dhe anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Kandidat për kryesues të Bordit të ZRRE-së, përveç Vehbi Sofiut është propozuar edhe Imer Fejzullahu.

Kurse për anëtar të Bordit janë propozuar kandidatët Astrit Saraqini, Gani Buçaj, Arjeta Pajaziti-Qerimi dhe Lutfije Dervishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat