​Specialja refuzon familjarët e Gucatit, OVL-UÇK: Po dëshmohet se kjo gjykatë s’është e Kosovës

Aktuale

​Specialja refuzon familjarët e Gucatit, OVL-UÇK: Po dëshmohet se kjo gjykatë s’është e Kosovës

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 16:45
Foto nga konferenca

Familjarëve të Hysni Gucatit nuk po u lëshohen vizat për të vizituar atë në Holandë. Ani pse Ministria e Drejtësisë ka garantuar mbulimin e shpenzimeve, autoritetet holandeze janë përgjigjur negativisht me arsyetimin se të njëjtit nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare. OVL-UÇK-së po e quan tendencioze, ndërkohë që djali i Hysni Gucatit ka thënë se po privohen nga e drejta për të takuar Gucatin.

Po bëhen gati një vit prej kur nuk ka takuar fizikisht babin e tij. Musli Gucati tha se tash e një muaj kanë filluar me përgatitjet e dokumentacioneve për të vizituar Hysni Gucatin, por që autoritet holandeze nuk ua kanë lëshuar vizat.

Gucati: Po na i mohojnë vizitën gjoja se nuk kemi mjete të mjaftueshme financiare

"Ka një muaj që kemi filluar për të përgatitur dokumentet. Ministria e Drejtësisë së Kosovës i ka kryer detyrat e saj me përgjegjësi, i ka paguar të gjitha biletat dhe familjarët që kanë pasur të shkojnë në Holandë janë vaksinuar me kohë. Edhe vendimi i autoriteteve holandeze ka qenë një padrejtësi shumë e madhe sepse po tregojnë që janë jo korrekt sepse është bërë pothuajse një vit që nuk kemi pasur kontakt fizik me babin tonë. Është diçka diskriminuese nga ana e tyre që ta na i mohojnë se gjoja që nuk kemi mjete të mjaftueshme financiare”, ka theksuar Gucati.

Në një konferencë për media, sekretari i OVL-UÇK-së tha se familjarëve të Hysni Gucatit po u bëhet padrejtësi, ani pse Ministria e Drejtësisë u ka garantuar mbulimin e çështjeve financiare.

Klinaku: Po dëshmohet që kjo gjykatë nuk është e Kosovës

"Ne kemi shfaq edhe më herët padrejtësitë që do të ju bëheshin dhe bëhen nga kjo gjykatë politike e cila është miratuar nga deputetët faqezi të Kosovës dhe përveç që e kanë miratuar një gjykatë politike e cila nuk ndjek krimet por vetëm pjesëtarët e UÇK-së, e kanë dërguar një gjykatë me seli në Hagë e cila iu mohon dhe shkel të drejtat e njeriut edhe familjarëve që të shkojnë të vizitojnë më të dashurit e tyre në burg. Po dëshmohet katërçipërisht që kjo gjykatë nuk është e Kosovës. Me mos lejimin e vizitave duke u thirrur gjoja në çështje financiare, nuk kanë shumë financa për ta bërë vizitën, me këtë gjë ju shkelën të drejtat e njeriut familjarëve të cilët e kanë të lejuar dhe me çdo normë ndërkombëtare që të vizitojnë familjarët”, u shpreh Klinaku.

Klinaku ka shtuar se autoritetet holandeze po sillen njëanshëm, marrë parasysh që në kohën kur ishte arrestuar Gucati nuk kishte me vete as letërnjoftimin.

Klinaku: Unë e di që vetëm vajza e Jakup Krasniqi ka qenë për vizitë

“Unë po ju them haptas këtu që nuk është çështje financiare, por është çështje politike e autoriteteve holandeze... 13:32 Unë e di që ka qenë vetëm vajza e Jakup Krasniqit, për çështjen e Hashim Thaçit nuk e di ende a kanë shkuar a jo”, ka shtuar Klinaku.

Edhe Metush Kryeziu nga kjo organizatë ka thënë se arsyetimi i autoritete holandeze është absurd dhe se me këtë çështje duhet të merret vet shteti.

Kryeziu: Shteti duhet të intervenojë në këto raste

“Shumica e atyre që janë në Hagë, për shembull fëmijët e Nasim Haradinajt e kanë nënshtetësinë suedeze dhe i kanë vizat, nuk e kanë pengesë për t’i vizituar atje. E fëmijët e Gucatit dihet se nuk i kanë vizat dhe arsyetimi se tri pagat e fundit në qarkullim bankar është absurde në këto raste. Qysh do të ketë qarkullim bankar kur nuk është i punësuar. Shteti duhet të intervenojë këto raste që të mos ndodhë”, ka përfunduar Kryeziu.

Më tej, në paraqitjen para mediave, Faton Klinaku ka shtuar se u qëndron prapa deklaratave se po të kishte dosje të tilla do t’i publikonte, pikërisht siç kishin bërë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat