Haxhiu: Këshilli Gjyqësor duhet të sqarojë se kush është gjyqtari që neglizhoi lëndën ndaj Dardan Krivaqës

Aktuale

Haxhiu: Këshilli Gjyqësor duhet të sqarojë se kush është gjyqtari që neglizhoi lëndën ndaj Dardan Krivaqës

Më: 24 gusht 2021 Në ora: 00:28
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është më shumë se skandal, neglizhenca e gjyqtarit, i cili nuk ka shqyrtuar deri në fund aktakuzën për tentimvrasje, ngritur më 2013 ndaj Dardan Krivaqës, tashmë i dyshuar kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.

Ajo madje në Edicionin Special, u shpreh se pret nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që të sqarojë nesër se për cilin gjyqtar bëhet fjalë dhe të merren masa disiplinore ndaj tij.

”Në këtë drejtim nuk kemi mandat si Ministri e Drejtësisë të nisim procedura disiplinore ndaj gjyqtarit në rastin konkret. Këshilli Gjyqësor i Kosovës besoj që nesër duhet të dalë me deklaratë e të sqarojë se cili është ai gjyqtar dhe të nis procedura disiplinore në raport me atë gjyqtar”.

”Sa herë po kemi raste të tilla të vrasjeve të rënda makabre, po shohim edhe një skandal tjetër nga sistetmi i drejtësisë, apo dhe nga ai i sigurisë, policia. Pra, në këtë rast është pak të thuhet se është skandal, më 2013 është ngritur aktakuza për të dyshuarin kryesor – kanë kaluar afër tetë vjet, dhe ende nuk është mbajtur shqyrtimi në raport me këtë rast. I dyshuari kryesor është lënë në liri, dhe nuk është thirrë seanca apo shqyrtimi gjyqësor”.

Haxhiu tutje u shpreh se për të evituar këto raste kriminale, janë duke u angazhuar në maksimum për sistemin e vetingut.

”Nuk jam e interesuar, e as qeveria jonë, që vetingu të dështoj. Edhe Ministria e Drejtësisë edhe Qeveria do të punojnë në këtë drejtim dhe do ta finalizojmë njërën nga format më të mëdha në sistemin e drejtësisë, siç është vetingu”.

”Planifikimet tona janë që brenda këtij viti të përmbyllen ndryshimet qoftë kushtetuese, qoftë ligjore”.

”Muaji i ardhshëm të shërbejë në drejtim të themelimit të akteve ligjore etj… Deri tani nuk kemi tejkaluar asnjë afat kohor, krejt jemi duke shkuar sipas planit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat