Pozhari rrëfen momente nga intervista me Berishën: Biseda u ndërpre si me thikë, posa përmenda emrin e këtij politikani

Aktuale

Pozhari rrëfen momente nga intervista me Berishën: Biseda u ndërpre si me thikë, posa përmenda emrin e këtij politikani

Nga: A.M Më: 12 shtator 2021 Në ora: 17:16
Sali Berisha dhe Xhevdet Pozhari

Gazetari Xhevdet Pozhari në një postim në rrjetin social Facebook ka rrëfyer disa moment nga një intervistë e tij me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Ky shkrim i tij, erdhi disa ditë pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha e përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar.

Pozhari e cilësoi ish-kryeministrin e Shqipërisë si një enciklopedi të gjallë dhe person të cilit nuk i trembet syri nga asgjë. Derisa, shtoi se Partia Demokratike nuk do të ketë asnjëherë një lider si Sali Berisha.

“Intervista u realizua. Në fund të saj unë e kuptova se PD kurrë më nuk do ta ketë një lider si Sali Berisha. Sikur ai ta kishte moshën e Lulzim Bashës, jam i sigurtë se Edi Ramën do ta kishte shkërmoqur në politike. Berisha jetoi kohën e vet dhe la gjurmë të cilat nuk mund t'i fshijë askush”, deklaroi Pozhari, përcjell “Bota sot”.

Postim i plotë

Në shkurt të vitit 2020 përmes disa miqve aranzhuam një intervistë me Sali Berishën. Bashkë me një mik timin morëm rrugën drejt Tiranës. Ishte takimi im i parë me të. Nuk do të ishte intervistë e lehtë. Berisha është enciklopedi e gjallë, shto këtu edhe guximin e tij që mos t'i trembet syri nga asgjë. Ama bash nga asgjë! Miqtë që kishin ndërmjetësuar intervistën mu lutën brenda mundësive që ta kursej në pyetjet për Lulzim Bashën. Dyshimet mu ngjallën saora. Bashkë me stafin dhe mikun tim nga Kosova që donte ta takonte Berishën, u nisëm drejt zyrës së tij. Pritja ishte tamam siç e kisha paramenduar: Një burrë fisnik që mosha thuajse nuk i kishte lënë asnjë gjurmë në kujtesën dhe energjinë e tij. Malësor i vërtetë.

Derisa stafi përgatiste pajisjet teknike, biseda ishte e përzemërt dhe me plot rikujtim të ngjarjeve të shkuara... deri në momentin kur unë më nuk u përmbajta dhe e krahasova udhëheqjen e PD-së nga ai dhe nga Lulëzim Basha. Sapo përmenda emrin e Lulzim Bashës dhe ngathësinë e tij në opozitarizëm, biseda u ndërpre si me thikë. Heshtja pllakosi dhe të gjithë ngrinë. Nuk po e shikoja mikun tim, por më bëhej se atij edhe fryma iu ndalë. E ndjeja që po ma thoshte "ishalla po pshtojmë, se ty stë rrin goja rahat". Heshtja po thellohej dhe shikimet tona u kryqëzuan. Ishte vonë të kthehesha pas. Aq shumë zgjati heshtja sa unë pata mundësi të lexoj të gjitha dyshimet e tij dhe dhembjen që nuk mund të ndryshonte asgjë. Ndjehej sikur t'ia kisha hedhur kripën mbi plagë...

Dikur e rimori vetën dhe më pyeti: Gjakova ka aeroport? - Ka, ka... iu përgjigja.

Afër meje u dëgjua psherëtima e çlirimit të shokut tim që kishte ngelur duke na shikuar se si unë e Berisha ia kishim ngulur sytë njëri-tjetrit dhe po lexonim në heshtje "të pathënat".

Intervista u realizua. Në fund të saj unë e kuptova se PD kurrë më nuk do ta ketë një lider si Sali Berisha. Sikur ai ta kishte moshën e Lulzim Bashës, jam i sigurtë se Edi Ramën do ta kishte shkërmoqur në politike. Berisha jetoi kohën e vet dhe la gjurmë të cilat nuk mund t'i fshijë askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat