Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë apelon ndërkombëtarët: Reagoni ndaj veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë

Aktuale

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë apelon ndërkombëtarët: Reagoni ndaj veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 09:26
Ilustrim

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thotë se mbështesin fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë.

KASH shpreh keqardhjen që marrëveshjet e dakordësuara në Bruksel nuk gjejnë vullnetin për zbatim, duke prapësuar arritjet e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve.

"Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon duke iu rikthyer sjelljeve dhe veprimeve që nxisin dhunën dhe urrejtjen".

KASH i bën thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve.

"Një qasje e tillë e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës.Retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë  të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situatës".

KASH u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për të reaguar me shpejtësi dhe pa ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përsërit se dialogu dhe integrimet në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat