Rama thotë se Forcat Speciale të Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu dhe të zëvendësohen me këtë gjë

Aktuale

Rama thotë se Forcat Speciale të Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu dhe të zëvendësohen me këtë gjë

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 17:41
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur në bashkëbisedimin me studentët dhe për situatën në Veri të Kosovës, duke dhënë një sugjerim për zgjidhjen dhe uljen e tensioneve. Rama tha se  Kosova ka të drejtë për çështjen e reciprocitetit, por se nuk duhet të ndodhë si në rasti ne tarifës dhe se forcat speciale s’duhet të rrinë gjatë në zonë.

Ai theksoi se Forcat Speciale duhet të zëvendësohen me forca në tavolinë, pra duke i mëshuar dialogut.

“Për Veriun, është e qartë,  Kosova ka të drejtë. Çështja e qarkullimit të mjeteve, e targave është çështje e legjitimitetit, të sovranitetit të vendeve dhe është shqyrtuar në marrëveshje të mëparshme. Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës, ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga asgjë, por janë pakicat kombëtare ndër më të përkëdhelurat, kjo e bën Kosovën shembull.

Se kuptoj dot se si mund t’u paguhen dhe faturat e dritave. Fakti është që ata nuk kërcënohen. Ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes. Ato manovra teatrale me helikopterë e avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb se mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit, apo mund të sugjestionojnë dhe njerëzit këtu apo në botën shqiptare që shikojnë nga facebook vetëm luftë. Kosova e ka fituar luftën, kur ju që jeni këtu, nuk kishit lindur akoma, apo nuk kishit lindur. Si mund të vazhdojë historia po njësoj. Si mund të vazhdojë të jetohet me luftën, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, pjesë e të cilës nuk mund të diskutohet që është njohja e Kosovës. Mendoj që situata është e qartë, por gjëja që më shqetëson që mos të ndodhë si me tarifën. Çuarja e forcave speciale në momentin e parë për t’u siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyeshme, diçka lënduese për njerëzit, nuk më duket se është një shpallje lufte apo provokim. Mbajtja e forcave speciale për një kohë të gjatë do të ishte bumerang, siç ndodhi me tarifën. Unë e mbështeta, sepse ishte një klithëm për t’u dëgjuar. ishin dërguar letra e letra në Bruksel dhe u desh tarifa për t’i ngritur veshët opinionit ndërkombëtar që nuk jeton përditë me ne, ndaj duhet t’i dalim zot vetes. Me guxim, jo duke imagjinuar që gjërat që dalin në procesin e paqes të zgjidhen me mjetet e luftës, por duke pasur kurajë, aftësi e shkathtësi diplomatike.

Çfarë ndodhi me tarifën, nga një klithmë që i lidhi këmbët Kosovës dhe e bëri të dukej si delja e zezë për shkak se u mbajt gjatë pa lidhje. u kthye në një instrument për të bërë politikë brenda Kosovës. Forcat Speciale mund të zëvendësohen me forcat në tryezë. Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare. Këtë bashkësi ndërkombëtare dhe këta miq dhe aleatë të mëdhenj ne duhet t’i mbajmë shumë afër dhe nuk duhet t’u japim shkak që të ftohen, që të zhgënjehen dhe që të lodhen, siç ndodhi me historinë e tarifës kur Kosova humbi shumë reputacion. Politika e jashtme nuk mund të bëhet për politikë të brendshme dhe anasjelltas. Ngatërrimi i këtyre gjërave ka ndodhur”, deklaroi Rama

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat