Drafti final po pret miratimin e Serbisë, Bislimi: Ja kur do të kemi marrëveshje valide

Aktuale

Drafti final po pret miratimin e Serbisë, Bislimi: Ja kur do të kemi marrëveshje valide

Nga: A.Zh Më: 29 shtator 2021 Në ora: 20:05
Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se drafti final me të cilin është dakorduar pala e Kosovës në kuadër të dialogut, po pret ende miratimin e palës serbe.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se pala serbe ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, përcjell Bota sot.

Sipas tij, nëse delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë, do të ketë një marrëveshje valide mes të dyja vendeve.

Marrëveshja me Serbinë përfshin tri elemente, ku të shtunën do të largohen barrikadat dhe njësia speciale e Policisë së Kosovës nga vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa aty do të vendosen forcat e KFOR-it.

Postimi i Bislimit në Facebook:

Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi ynë dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrsht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.

Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat