Situata pas aksionit të Policisë në veri të Kosovës, tërhiqen bllokadat në Mitrovicë dhe Rudarë

Aktuale

Situata pas aksionit të Policisë në veri të Kosovës, tërhiqen bllokadat në Mitrovicë dhe Rudarë

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 10:45
Kamionë të vendosur në magjistralen Prishtinë-Rashkë.

(E plotësuar 19:25) - Tërhiqen bllokadat në Mitrovicë të Veriut dhe Rudarë

Bllokadat e vendosura në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në vendbanimin në Rudarë, në Komunën e Zveçanit si dhe ato të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, janë tërhequr në orët e mbrëmjes të së mërkurës.

Këto bllokada janë vendosur më herët gjatë 13 tetorit nga serbët lokalë në shenjë pakënaqësie ndaj aksionit të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave.

Aksioni është zhvilluar në disa qytete të Kosovës, përfshirë ato në veri.

Deri më tani, sipas autoriteteve, janë lënduar dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq janë arrestuar ose ndaluar tetë persona. Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

"Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë", ka thënë Sveçla.

***

Pasi që u arrestuan 8 persona në aksionin e marruar nga Policia e Kosovës, serbët e revoltuar nga kjo kanë shtënë me armë kënddrejtë shtepive të banuar me shqiptarë për të treguar që janë kundër aksionit.

Banorët shqiptarë në veri janë të shqetësuar për rastin e ndodhur ata thonë qe janë të pa mbrojtur dhe çdo ditë jeta e tyre është në rrezik.

Po ashtu, ata janë te shqetësuar për alarmin e qytetit duke thënë se duhet te rrinë gati për çdo lëvizje te mos dalin nga shtëpitë për çështje sigurie.

 4 policë nisen për QKUK, janë lënduar rëndë në aksionin në veri

Policia e Kosovës këtë të mërkurë nisi një operacion policor në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut kundër kontrabandës me mallra.

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, shtatë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre gjashtë zyrtarë të nacionalitetit shqiptarë dhe një i nacionalitetit serb.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Spitalit, Luljeta Zhubi, ka deklaruar se shtatë policë kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

“Shtatë policë janë sjellë në Spitalin e Mitrovicës për trajtim dhe të njëjtve u është ofruar trajtimi. Katër nga policët e lënduar janë nisur për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kurse tre të tjerë pas trajtimit janë liruar për në shtëpi”.“Katër policët që janë nisur për në QKUK kanë pësuar lëndime më të rënda e për atë janë përcjell për në Prishtinë”, tha Zhubi.

Aksioni për kontrabandë, Policia shpall në kërkim këta pesë persona

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim pesë persona për kontrabandë, pasi aksionit në Mitrovicën e Veriut dhe disa komuna të tjera, përcjell Bota sot.

Përmes një komunikate për media, ajo ka treguar identitetin e personave të shpallur në kërkim.

Komunikata e plotë:

Personat në kërkim të përfshirë në aktivitetet kriminale të kontrabandës me mallra

Policia e Kosovës, lidhur me operacionin e suksesshëm policor të realizuar në katër rajonet e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri, edhe pas arrestimit të tetë (8) personave të dyshuar, ka vazhduar hetimet intensive drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të tjerë që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave.

Hetimet intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, janë realizuar nën autorizimin e prokurorisë kompetente, e që kanë rezultuar deri më tani me identifikimin e (5) personave të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim:

Image
Image

Policia e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm dhe njëkohësisht kërkon bashkëpunim në ofrimin e informacioneve me qëllim arrestimin e personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre pranë organeve të drejtësisë.

Numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale.

Njëkohësisht Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit.

***

Gjashtë zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, dhe dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore pas tensionimit të situatës që ndodhi në veri të Mitrovicës, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Policia ka njoftuar se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, ku deri më tani janë arrestuar tetë persona.

Image

Qysh në mëngjes serbët lokalë pas dëgjimit të sirenave emergjence në veri, janë grumbulluar në rrugët e kësaj komune.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin mbledhur dhe nisur në drejtim të policisë. Është parë se qytetaret kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë. Ndërkohë, në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” janë vendosur kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë veriore të qytetit.

Image

Rrugët vazhdojnë të jenë ende të bllokuara. Gjithashtu është raportuar se është bllokuar edhe rruga magjistrale Prishtinë-Rashkë nga ana e banorëve lokalë në shenjë kundërshtimi për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Sipas raportimeve rreth 200 qytetarë u mblodhën në këtë lokacion dhe aty u vendosën disa kamionë në rrugë në shenjë proteste.

Situatë e qetë, por nën tension në veri

Serbët në veri të Mitrovicës kanë sulmuar sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës, derisa këta të fundit po zhvillonin një aksion kundër mallrave të kontrabanduara në atë pjesë.

Njësitë Speciale të Policisë së bashku me Doganën, kanë kryer bastisje nëpër objekte, lokale e shtëpi të ndryshme në veri, ndërsa kanë hasur në rezistencë të popullatës në atë pjesë.

Ata kanë krijuar bllokada në rrugë me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, ka pasur të shtëna me armë zjarri, granata dore dhe gurë, me qëllim të pengimit të zyrtarëve doganorë e policorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Janë sulmuar edhe gazetarët shqiptarë, në drejtim të të cilëve janë hedhur mjete shpërthyese.

Si rrjedhojë, ka dhjetëra të lënduar nga ana e policisë, ndërsa janë arrestuar po ashtu dhjetëra persona.

Pas përfundimit të aksionit, janë konfiskuar numër i konsiderueshëm i barërave dhe artikujve ushqimorë.

Aktualisht, situata është e qetë në veri, por nën tension, pasi disa prej qytetarëve po vazhdojnë të qëndrojnë nëpër rrugë, si dhe disa pika rrugore mbeten të bllokuara nga kamionët, të cilët janë vendosur për të penguar ardhjen e serishme të njësiteve speciale të policisë në atë pjesë.

8 të arrestuar nga aksioni kundër kontrabandës

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim për media pas përfundimit të aksionit kundër kontrabandës, në katër rajone të vendit. Nga ky aksion janë prangosur tetë persona, derisa 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, njofton tutje policia.

Dietë e sigurtë për dembelët! Provo sonte! Pa lodhje!

Njoftimi i plotë i policisë:

Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.

Deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona;

R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës,

A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës,

M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,

I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,

A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,

M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri,

I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri,

M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri,

Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.

Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë.

***

 Huliganët serbë sulmojnë me gurë automjetet e policisë në veri të Mitrovicës

Gjatë operacionit të sotëm në veri të vendit kundër kontrabandës së mallrave, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar nga serbët lokalë.

Në pamjet e siguruara nga operacioni i Policisë dhe zyrtarëve të AVUK-ut në veri të Mitrovicës shihen momentet kur huliganët serbë sulmojnë me gurë automjetet e policisë.

Mediat gjithashtu ka publikuar pamje nga momenti kur serbët kanë sulmuar pjesëtarët e policisë derisa po kryenin një operacion kontrolli në një barnatore në veri të Mitrovicës.

Drejtoresha e spitalit në Mitrovicën e Jugut, Luljeta Zhubi tha për REL se deri më tani dy policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ata janë duke u ekzaminuar për të parë se çfarë lloji të lëndimeve kanë pësuar. 

***

Sulmohen gazetarët në veri të Kosovës

Qytetarët kanë sulmuar gazetarët dhe kameramanët në Mitrovicën e Veriut.

Policia e Kosovës ka vazhduar aksionin kundër kontrabandës në Mitrovicën e Veriut ku ka hasur në rezistencë nga serbët lokalë atje.

Image

Për më tepër, në Lagjen e Boshnjakëve janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që po qëndrojnë në vendin e ngjarjes.

***

Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Drejtoresha e spitalit në Mitrovicën e Jugut, Luljeta Zhubi tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani dy policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata janë duke u ekzaminuar për të parë se çfarë lloji të lëndimeve kanë pësuar.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.

Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.

"Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Ellek për Radion Evropa e Lirë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se në orët e mëngjesit nisën të dëgjoheshin edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Policia e Kosovës u vendosën edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t'i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë dhe të cilët kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë.

Në Mitrovicë të Veriut turmat janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan. Aktualisht, në Mitrovicë të Veriut, situata raportohet të jetë e qetë.

Veturat e djegura në veri ishin me targa të Kosovës

Disa vetura janë djegur sot në Mitrovicën e veriut gjatë operacionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Serbët kanë kundërshtuar operacionin policor, duke sulmuar policët me gurë e duke djegur vetura, të cilat raportohet të kenë qenë me targa RKS..

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte njoftuar se operacionin kundër kontrabandës janë duke e realizuar në katër lokacione, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore, ku është goditur rrjeti i kontrabandës.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se “të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”.

***

Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona janë lënduar gjatë aksionit policor.

Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.

"Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.

***

Policia e Kosovës ka nisur një operacion në disa lokacione në vend kundër kontrabandës me mallra.

Siç njoftohet, aksioni po zhvillohet në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në kumtesë.

Image

“Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

Qytetarët në veri kundërshtojnë aksionin kundër kontrabandës. 

Qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Image

Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t'i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë po vazhdon edhe në Zveçan ku janë mbledhur serbët lokalë për ta kundërshtuar.

Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës, tha Policia përmes një njoftimi për media.

Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

***

Është tensionuar situata në veri të vendit.

Serbët kanë filluar të hedhin bomba gazi në drejtim të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Po ashtu ata kanë vendosur barrikada.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat