Shefi i UNMIK-ut flet për operacionin në veri të Kosovës

Aktuale

Shefi i UNMIK-ut flet për operacionin në veri të Kosovës

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 16:46
Zahir Tanin

Ka filluar të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se operacioni në veri do të duhej të ishte i koordinuar me ndërkombëtarët, gjë që nuk ka ndodhur.

Tanin në këtë rast foli për operacionin në pikat kufitare.

“Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina ka nisur një operacion policor në Kosovën veriore me qëllim të zbatimit të masave të reja të targave. Duke marrë parasysh diskutimet për lirinë e lëvizjes të realizuara përmes dialogut, do të duhej të ishte e natyrshme të pritej një komunikim i hershëm dhe i qartë me ata që preken. Megjithatë, komunikimi ka qenë i paktë. Bashkësisë Ndërkombëtare nuk i është dhënë njoftim paraprak dhe është krijuar një bllokadë nga protestuesit. Njësitet njëherë kanë përdorur gazin lotsjellës dhe granatat zhurmuese të tymit për shpërndarjen. Gjatë ditëve pasuese numrat e Njësisë Speciale u rritën”, tha ai.

Sipas tij, ky ishte një episod që lehtë mund të përshkallëzohej në gjakderdhje të vërtetë.

“Më 26 shtator një zjarr ende i pashpjeguar ka ndodhur në Qendrën e Regjistrimit në Zubin Potok. Ushtria e Serbisë dërgoi në afërsi një togë si forcë reaguese në veri të kufirit administrative, dhe bëri disa fluturime. Zyrtarët ndërkombëtarë që kanë përvojë të gjatë në terren, vështirë se do të mund të befasoheshin nga ky ndryshim. Fati që kjo përpjekje nuk është diskutuar përmes kanaleve të krijuara, përmes dialogut, rezultoi me një përshkallëzim të pashmangshëm që zgjati 10 ditë. Në veri mund të quhet një episod që shumë lehtë mund të shndërrohej në gjakderdhje të vërtetë”, tha tutje Tanin.

Ai foli edhe për aksionin e të mërkurës në veri kundër kontrabandës, ku pati edhe incidente.

Ai hedhi dyshime se KFOR-i ishte i njoftuar për dërgimin e Njësisë Speciale atje.

“Këtë të mërkurë Njësitë Speciale prapë u dërguan në veri që u përshkruan si një operacion kundër kontrabandës. Është diskutabile nëse KFOR-i është njoftuar paraprakisht për dërgimin e Njësive Speciale atje. Konfrontimet rezultuan me një numër të konsiderueshëm të të lënduarve. Popullata civile në veri të Mitrovicës raportoi lëndime në shtëpitë e tyre nga gazi lotsjellës. Protestuesit gjuajtën me gurë, dhe sipas policisë disa të dyshuar përdorën edhe armë zjarri kundër policisë. Përfaqësuesi i lartë i BE-së deklaroi se “Veprimet e njëanshme dhe pakoordinuara janë të papranueshme”, tha Tanin.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat