Një komunë në Kosove hap konkurs për mësues të gjuhës ruse

Aktuale

Një komunë në Kosove hap konkurs për mësues të gjuhës ruse

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Komuna e Kllokotit ka hapur konkurs për punësimin e dy mësimdhënësve për Gjuhën Ruse, derisa Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk ka të dhëna nëse kjo lëndë mësohet në shkollat e sistemit paralel në vend.

Më 1 tetor të këtij viti, Komuna e Kllokotit, që është komunë me shumicë serbe, ka shpallur konkurs për mësimdhënës për lëndë të Gjuhës Ruse.

Komuna e ka hapur këtë konkurs për shkollën fillore “Marko Rajkoviç” në Vërboc dhe shkollën tekniko-ekonomike në po këtë fshat për dy mësimdhënës.

Sipas konkursit, mësimdhënësit e Gjuhës Ruse do të kenë kontratë të punës me afat të pacaktuar dhe me gjysmë norme.

Por, mësimi i Gjuhës Ruse nuk është i përfshirë në kurrikulën e Kosovës dhe Komuna e Kllokotit e ka bazuar këtë konkurs me ligjet e Kosovës, përfshirë Ligjin e Punës, Udhëzimet Administrative për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional.

Konkursi ka qenë i hapur deri sot, por për këtë çështje Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka qenë në dijeni.

Ata nuk kanë informacione nëse lënda e Gjuhës Ruse mësohet në shkollat që mësojnë komuniteti serb në Kosovë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha sot se nuk kanë informacione nëse kjo lëndë mësohet në shkollat që mësojnë nxënësit serb.

“Ne e dimë që shkollat serbe në Kosovë punojnë me kurrikulën e Serbisë dhe janë duke u bërë përpjekje që kjo çështje të zgjidhet dhe është një çështje e ndjeshme politike. Nuk kam informacion nëse Gjuha Ruse është pjesë e kurrikulës së Serbisë, por mund të supozoj që është sepse përpara ka qenë si një ndër gjuhët e mundshme”, tha Pupovci në një konferencë për media.

Mediai ka dërguar pyetje zyrtarëve të Komunës së Kllokotit për të marrë detaje rreth konkursit të shpallur, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, shkollat funksionojnë me sistem paralel duke përdorur kurrikulat e Serbisë.

Madje, të dhënat statistikore të arsimit nëpër shkollat serbe, veçanërisht në komunat me shumicë serbe, mungojnë pothuajse në tërësi. Ndryshe, përjashtim bënë vetëm Komuna e Kamenicës në të cilën të dhënat për vijueshmërinë e mësimit nga nxënësit e këtij komuniteti regjistrohen. Sipas data-bazës së vitit të kaluar, në këtë komunë janë 229 nxënës nga komuniteti pakicë serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat