Kutitë e votimit shkojnë edhe në shtëpitë e personave të infektuar me COVID-19

Aktuale

Kutitë e votimit shkojnë edhe në shtëpitë e personave të infektuar me COVID-19

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 10:13
Qendra e votimit

Hapësirat e Fakultetit të Edukatës Fizike mëngjesin e sotëm janë shfrytëzuar për tu bërë përgatitjet e tri ekipeve mobile të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të cilët do shkojnë në shtëpitë e qytetarëve të Prishtinës që janë të infektuar me COVID-19 dhe të cilët për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin për të votuar në qendrat e votimeve.

Për zgjedhjet lokale të 17 tetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar 87 ekipe mobile me gjithsej 348 anëtarë.

Krahas anëtarëve të KQZ, çdo ekip ka edhe një mjek dhe nga një policë.

Në çdo kuti votimi krahas materialeve zgjedhore sensitive ishin vendosur edhe maska, doreza dhe dezinfektues.

Valentina Demolli-Koliqi, trajnere e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtina e cila tha se pasi ka rënë numri i rasteve pozitive edhe numri i atyre që duan të votojnë është më i vogël krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Demolli-Koliqi: Nuk është i lartë numri i personave me COVID-19 të interesuar për të votuar

“Këto ekipe përgatiten për të shkuar dhe për t’iu mundësuar të drejtën e votës për shkak të pamundësisë për të dal në vendvotime të rregullta. Në komunën e Prishtinës si në gjithë Kosovën ka rënë numri i të infektuarve në këto zgjedhje nuk është i lartë numri i personave votuesve të interesuar për të votuar, sikurse në zgjedhjet e kaluara ka një numër relativisht të ulët, ekipet janë të përgatitura në tërësi për të ofruar komplet të drejtën e votës nëpër shtëpitë e personave të infektuar me Covid-19....ekipet që do të prezantojnë me COVID-19, ka edhe një anëtar të katërt që është punonjës shëndetësor, ka disa detyra dhe përgjegjësi”, tha ajo.

Krahas ekipeve mobile për COVID, në Fakultetin e Edukimit i bënë përgatitjet edhe ekipet mobile që do të mundësojnë votimin e të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe atyre të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Ekipet mobile për votim të të infektuarve me COVID-19 u praktikuan edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Në zgjedhjet lokale që po mbahen sot të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Ndërsa, numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat