Mesazhi i shefit të Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve

Aktuale

Mesazhi i shefit të Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 11:47
Flamuri i Bashkimit Evropian.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, ka thënë të dielën se është shumë i lumtur që blloku evropian mund të kontribojë me 100 vëzhgues në zgjedhjet lokale të Kosovës.

“Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kontribuar në demokraci, mirëpo mënyra më e mirë është përmes votës. Prandaj mesazhi im i parë sot është që të inkurajoj secilin që të votojë”, ka thënë Mandl.

Sipas tij, procesi zgjedhor është duke u realizuar në mënyrë të qetë.

Më herët Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin të dielën (17 tetor) kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Zëdhënësi, Valmir Elezi, ka thënë se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetori në Kosovë tha në njoftimin e saj mëngjesin e së dielës se 80 për qind e Qendrave të Votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100 metra nga Qendrat e Votimit.

Sipas vëzhguesve, 96 për qind e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID-19 në fuqi janë vendosur në 95 për qind të Qendrave të Votimit në nivel vendi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat