Albin Kurti shkaktoi “tërmet politik”, por çfarë ndodhi të dielën?

Aktuale

Albin Kurti shkaktoi “tërmet politik”, por çfarë ndodhi të dielën?

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 08:24
Albin Kurti

Edhe pse zgjedhjet e djeshme ishin lokale, edhe pse në to nuk ishte diaspora, e cila ka treguar se është e rëndësishme për të përcaktuar vullnetin politik final; gjithsesi pati një sinjal mjaft të qartë dhe shumëdimensional.

Mesazhi kryesor është se nuk patëm një përsëritje të “referendumit” të 14 shkurtit të këtij viti, përkundrazi. Kemi një rrjedhje të rëndësishme vote në të gjithë Kosovën. E kjo në dy mënyra; si me mosvotimin, ashtu edhe me votën kundër. Ky mesazh pritej në fakt, pasi ka pakënaqësi normale në të gjithë vendin prej kohësh, e rasti më i mirë për ta treguar këtë është vota.

Pra vendimet apo aktet e qeverisë dhe arroganca e treguar në mjaft raste është shkaku i kësaj shuplake që ka marrë Vetëvendosja në zgjedhjet komunale.

Kurse mesazhi tjetër është më i qarti në të gjitha; nëse më 14 shkurt, Albin Kurti shkaktoi “tërmet politik” duke dërrmuar të gjithë elitën e vjetër politike të Kosovës, e duke i detyruar partitë e tyre të ndryshojnë lidershipin, vetë Vetëvendosja kandidoi në komunat kryesore figura pa asnjë lidhje me ndryshimin dhe qasjen ndaj së resë.

Mimoza Kusari në Gjakovë, nuk është gjë tjetër veçse një “supë e ngrohur” disa herë, pasi jo vetëm që ka qenë kryetare me disa parti të tjera, por ishte një mesazh i së vjetrës tashmë në politikë.

E njëjta gjë në Mitrovicë me Agim Bahtirin që vinte nga mandate i tretë, ndërkohë që në Prizren, Vetvendosja nuk arriti të mbronte mandatin e parë të Haskukës.

Megjithatë, thelbi i të gjithave është numri i votave. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, pra 8 muaj më parë Vetëvendosje mori rreth 450 mijë vota, e në zgjedhjet e djeshme 250 mijë, pra gati gjysmën.

Përse ndodhi kjo?

Së pari ndodhi si logjikë dialektike, pasi jemi në zgjedhje lokale, së dyti ndodhi si ndëshkim, e së treti çka politikisht është e rëndësishme, krahu i Vjosa Osmanit po shkon jo avash, por me shpejtësi drejtë shtëpisë së vjetër-LDK.

Vështirësia e Vetëvendosjes prej sot është e konsiderueshme, pasi pa pasur pushtetin vendor është e vështirë të sigurosh një fitore politike kombëtare, e kjo përbën një aksiomë.

Më 14 shkurt, një pjesë e mirë e atij rezultati erdhi edhe sepse Vetëvendosje kishte Prishtinën, Prizrenin, Mitrovicën, por edhe komuna të tjera më të vogla.

Gjithsesi, shuplaka politike në çdo zgjedhje është sinjal për qeverisjen.

Nëse nuk ndryshon vazhdimisht, atëherë humbja është e pritshme.

Tjetër sinjal i këtyre zgjedhjeve që është personal për Albin Kurtin është se njerëzit nuk u pajtuan me mesazhin e tij, ku nxori figurën e vet në vend të kandidatëve për kryetar komune, shkruan Pamfleti. Qytetarët duan një ekip politik dhe jo vetëm një “lider maximus” që mendon për çdo gjë…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat